Shqipëria

Rama në Novi Sad nuk do të jetë as virtualisht


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk do të jetë i pranishëm – as virtualisht – në takimin dyditor “Western Balkans: #OneRegionOneMarket”, ku ishte planifikuar sipas organizatorëve, që ai, së bashku me dy iniciatorët e tjerë të nismës rajonale “Open Balkan”, Alexander Vuçiç dhe Zoran Zaev, të mbanin një sesion diskutimesh me të rinjtë.

Lajmin e konfirmon përfundimisht zyra për media pranë Kryeministrisë për Albanian Post.

Nga Kryeministria, përkundër pretendimit të organizatorëve se takimi fillimisht do të ishte në person, e kanë mohuar faktin, duke theksuar se pjesëmarrja e Ramës, që prej fillimit ishte virtuale.

Arsyeja e anulimit ka të bëjë thjeshtësisht me një agjendë shumë të ngjeshur të kryeministrit.

Ky i fundit do të zhvillojë të enjten një udhëtim zyrtar në Abu Dhabi. Për këtë shkak, e gjithë agjenda e ditës së enjte është zhvendosur tërësisht në ditën e mërkurë – ditë që përkon me agjendën e takimit për Forumin Ekonomik.

Nga burime zyrtare të Albanian Post pranë forumit, mësohet se takimi ishte i projektuar të ndodhte nëpërmjet një videokonference direkte. Këtë fakt, organizatorët vazhdojnë ta pohojnë, duke këmbëngulur se Rama do të japë një mesazh.

Mirëpo, nga Kryeministria e Shqipërisë bëhet e qartë se nuk ka asnjë mundësi që fjala e Ramës të ndodhë.

Sipas agjendës që Albanian Post ka siguruar nga organizatorët, mbledhja e tre liderëve ballkanikë pritej të zhvillohej në orën 11:00-13:00 të së mërkurës. Më pas pati një pretendim se fjala e tyre mund të shtyhej drejt orës 18:00. Tashmë, ajo është anuluar tërësisht.

Agjenda e punimeve të ditës së dytë të takimit #OneRegionOneMarket

Sipas raportimit të mediave serbe, Vuçiç po ashtu e ka anuluar takimin. Ndërsa Serbia do të përfaqësohet nga kryeministrja Ana Brnabiç në forum.

#OneRegionOneMarket

Në këtë takimin dyditor në formën e forumit, temë kryesore është pikërisht zgjerimi i tregut rajonal në Ballkan.

Konferenca është e organizuar nga Fondi për Çështjet Evropiane të Vojvodinës, Fondacioni Konrad Adenauer dhe Forumi Rajonal i Liderëve të Rinj.

Gjatë ditës së parë, diskutime janë mbajtur për një të ardhme më të mirë të Ballkanit Perëndimor.

Pamje nga punimet e ditës së parë të takimit #OneRegionOneMarket

Aty u fol për marrëveshjen mbi bursat e studentëve dhe krijimin e një mjedisi mbështetës për tregun e përbashkët.

Një sërë takimesh do të zhvillohen edhe gjatë ditës së dytë, mbi mundësitë e zgjerimit në rajon dhe perspektivën për një treg të përbashkët rajonal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore