Shqipëria

Rama: Mikpritja shqiptare për hebrenjtë në kurrikula, dhurojmë listën e përditësuar për muzeun hebre


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ftuar në Malmo të Suedisë, në Forumin Ndërkombëtar të Përkujtimit të Holokaustit

“Dy libra do të bëhen pjesë e kurrikulës shkollore parauniversitare në Shqipëri. Në Izrael, shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore është pjesë e kurrikulës së fëmijëve të tyre. Po njësoj do të jetë edhe e fëmijëve tanë”.

Kështu ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ftuar në Malmo të Suedisë, në Forumin Ndërkombëtar të Përkujtimit të Holokaustit.

Po ashtu, një listë e re e përditësuar me emrat e hebrenjve të strehuar në Shqipëri, do të vihet në dispozicion të muzeve hebrenj.

Kjo listë, më parë mendohej se ndalej në 2 mijë e 265 emra. Por, falë punës së bërë nga Akademia e Shkencave në Shqipëri, lista është zgjeruar më tej, duke shkuar në 3 mijë e 750 emra.

Një familje shqiptare mikpret disa hebrenj

Kryeministri e nënvizoi faktin se hebrenjtë në Shqipëri ishin një komunitet i vogël. Por, pavarësisht kësaj, ata gëzonin të drejtën të predikonin ritet e tyre fetare. Madje, deri në pikën ku punëdhënësi, nuk mund t’i dënonte ata mbi këtë premisë.

Historia që flet

Nderimin mbi kontributin që Shqipëria po jep, Rama e shtjelloi duke treguar edhe historinë e mikpritjes.

“Ne jemi ndoshta i vetmi vend në Evropë, që pas Luftës, kemi pasur më shumë hebrenj se përpara saj. Kjo lidhet me kodin tonë të nderit. Në atë kod, çnderimi më i lartë, ishte ai i mungesës së mikpritjes ndaj udhëtarit, ndaj mikut”.

Kështu, kryeministri ka shpjeguar edhe konceptin e traditës shqiptare.

“Paragrafi i parë i Kanunit e thotë qartë: Shtëpia i përket Zotit dhe mikut”, duke e kontekstualizuar se miku, është edhe udhëtari i panjohur”.

Familje hebrenjsh në Shqipëri, 1945

Ndërsa mbi Holokaustin, Rama e përkufizoi si mësim për gjithë historinë botërore.

Ai e ravijëzoi faktin se nuk është thjesht çështja te hebrenjtë, por te njerëzimi. Mbi parimet e gjenocidit të madh ndaj hebrenjve, njerëzit duhet të luftojnë kundër çdo diskriminimi racor.

Për këtë faktor, ka kaq shumë rëndësi, sipas tij, të kujtohen plagët e të shkuarës.

Të njëjtat gjëra i aprovoi edhe ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth.

Ky i fundit ishte në një panel me kryeministrin Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore