Shqipëria

Rama-Metës: Përpara çdo gjëje tjetër, është Shqipëria


Kryeministri shqiptar Edi Rama i është kundërpërgjigjur deklaratës së ish-presidentit Ilir Meta për emigrantët në Britani duke i kujtuar se përpara çdo gjëje tjetër, është Shqipëria.

“Sa ka në Londër, çuna që nuk e shohin dot me sy PS-në, sa ka komentatorë në Facebook-un tim, nuk lënë asgjë pa thënë. Unë në anglisht jam mbrojtësi i tyre më i madh. Përpara çdo gjëje tjetër, është Shqipëria”, theksoi kreu i qeverisë.

Lajmi u bë i ditur gjatë prezantimit të platformës për zgjedhjet lokale në qytetin e Lushnjës.

Më herët, Kryetari i Partisë së Lirisë, gjatë një interviste të dhënë për median britanike “LBC”, vërejti se mijëra të rinj shqiptarë janë ngujuar në pyjet e Francës.

Kjo, në pritje për të shkuar në Britaninë e Madhe dhe përgjegjës për këtë, është kryeministri Edi Rama dhe qeverisja e tij.

Sipas Ramës, kur vjen puna tek shqiptarët jashtë, nuk duhet ta zgjidhim në gjuhë të huaj, pse ikin ata.

“Vëllezërit tanë nuk preken, këtë duhet të themi në gjuhë të huaj”, shtoi ai.

Kryeministri e ka konsideruar si “faqezezëllëk” sjelljen e ish-kreut të shtetit.

“Ilir Meta del dhe mbron atë ministren britanike, i mbron nga unë. Është një lloj faqezezëllëku që i shoqëron shqiptarët që nga viti 1912, është një kategori shqiptarësh që nuk i ndahen këtij vendi si mallkim”, tha më tej Rama.

Për të, kreu i PL-së ka shumë arsye që e bën këtë pa dhënë detaje të tjera.

Mesazhi i kryeministrit në përmbyllje ishte se kur vjen puna tek Shqipëria dhe shqiptarët, “ne duhet të jemi një”.

“S’kemi arsye pse të jemi të ndarë, fare. Ne jemi një vend i vogël. Kjo është fatmirësia se jemi një vend i vogël. Nuk kemi arsye në botë që kur të ulemi në tryezë me të tjerët, të jemi inferior”, ravijëzoi në përmbyllje kryeministri i Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore