Shqipëria

Rama: Mbështetja e Holandës në Shqipëri rritet, rajoni ka nevojë për të


“Kemi një vazhdimësi të një marrëdhënie pune shumë pozitive dhe mbështetja e Holandës në Shqipëri rritet vit pas vitit”.

Kështu është shprehur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, fill pas takimit me homologun e tij holandez, Mark Rutte, në konferencën e përbashkët dhënë për mediat mesditën e 10 nëntorit.

Nga Kryeministria, numri i qeverisë shqiptare vuri në dukje se Holanda e ka mbështetur integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Por, pavarësisht kësaj, sipas liderit shqiptar marrëdhënia mes vendeve shkon përtej integrimit evropian.

“Moment shumë i veçantë që kemi në Tiranë, Mark Rutte. Iu desh të fitonte katër palë zgjedhje që të vinte në Shqipëri”, tha Rama.

Në vijim, kryeministri shqiptar përmendi projektet e qeverisë holandeze të implementuara në Shqipëri, si dhe praninë e bizneseve holandeze në vend.

Ai solli në vëmendje kompaninë “Shell” të naftës, si dhe turistët holandezë që vizitojnë vendin.

Përveç këtyre, kryeministri Rama përmendi edhe bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe luftën kundër krimit të organizuar.

“Ky bashkëpunim do të rritet edhe më shumë dhe do të përfitojnë të dy palët”, theksoi Rama.

Po ashtu, ai njoftoi se kanë diskutuar me Rutte për mundësinë që Holanda “të mbështesë një përafrim më të shpejtë të universiteteve tona me rrjetin evropian të universiteteve”.

Duke u ndalur te Procesi i Berlinit dhe “Open Balkan”, Rama tha se, “fuqia e Holandës – e cila ka një histori suksesi – ka një rëndësi të veçantë për rajonin”.

“Është me shumë rëndësi suksesi i nismave, të cilat kanë për qëllim nevojën për të komunikuar mes nesh”, ritheksoi Rama.

Më tej, duke u ndalur te mosprezenca e tre shteteve të rajonit në “Open Balkan” – Kosova, Mali i Zi, Bosnjë dhe Hercegovina – Rama tha se “BE-së nuk i duhet një Ballkan me konflikte dhe mërzi mes njëri-tjetrit”.

“Ne jemi brenda BE-së fizikisht dhe BE-ja është i vetmi realitet që ka një kufi të jashtëm dhe një të brendshëm mes vetes”, ravijëzoi kryeministri shqiptar.

Gjithashtu, Rama duke u ndalur te mosmarrëveshjet, në rajon tha se, “të gjithë në Ballkan e kanë kuptuar se destabilizimi nuk sjell asnjë të mirë, për askënd”.

“Ka shenja jo të mira në Bosnjë, në Mal të Zi, në Maqedoninë e Veriut, në kufirin Kosovë-Serbi. Ballkani i Hapur nuk është çelës magjik, por i shërben këtij qëllimi: Përafrimit tonë”, e mbylli Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore