Shqipëria

Rama: Projektligji për Dhomën Ekonomike Kombëtare i vonuar, do të regjistrohen të gjitha bizneset


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar theksoi se ndodhemi në një kontekst shumë inkurajues për ekonominë.

Por ai vuri në pah faktin se një projektligj për krijimin e Dhomës Ekonomike Kombëtare ishte i vonuar prej shumë vitesh.

“Duhet të imponojmë detyrimin e regjistrimit në Dhomën Ekonomike Kombëtare siç e kanë të gjitha vendet demokratike. Asgjë më shumë e as më pak. Duam të bashkojmë forcat e krijojmë një qasje sa më të qartë e konkrete për çfarë do të bëjmë”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje raportin e fundit të publikuar nga agjencia e vlerësimit të kreditit, Standard & Poor’s, e cila e ka përmirësuar për të parën herë në shumë vite vlerësimin ndaj Shqipërisë, duke e kaluar nga një pozitë B+ në një pozitë BB-.

Sipas Ramës, bashkë me këtë raport kemi edhe të dhënat e Bankës Kombëtare për rritje të ndjeshme të investimeve të huaja nga 1 miliardë në 1, 5 miliardë euro.

Numri një i Qeverisë tha se ka potencial për rritjen e investimeve të huaja e “të ngjitemi në 4 miliardë”.

“I kemi mundësitë që në një kohë jo të gjatë të kemi një tjetër vlerësim pozitiv me përmirësim dhe sot nëse shohim trendet, nuk është aspak e shfrenuar imagjinata që në një kohë të arsyeshme të kalojmë në BB+”.

Rama tha se sot shohim që sipërmarrja në turizëm nuk shtron më problemin e parave, pasi ajo është gati të paguajë shumë mirë, si nuk do imagjinohej pak vite më parë.

“Por shtrohet problemi se kujt do t’i paguajë. Të kemi qartësi dhe kontribut nga të gjithë faktorët ekonomikë dhe socialë në mënyrën si duhet të bëjmë një politikë të re në aftësimin profesional dhe jo vetëm në nivel shkollë, por edhe riaftësimin në funksion të tregut”.

Nga ana tjetër, ministri i Financave, Ervin Mete, foli për garancinë sovrane për fasoneritë.

“Do ta kalojmë javën tjetër në qeveri dhe detajet do jenë pozitive, mbulon 70% të kredisë dhe me normë interesi 1.5 %”.

Mete tha se ky instrument parashikohet të jetë me terma më pozitivë dhe lehtësues se sa garancitë sovrane që qeveria ka ndërmarrë në periudhën e pandemisë.

“Presim ta kalojmë në Qeveri javën tjetër për të përcaktuar detajet, të cilat do të jenë ndoshta edhe më pozitive se sa kanë qenë garancitë sovrane në kohën e pandemisë. Po flasim për një garanci që mbulon rreth 70% marrjen e kredive nga sistemi bankar, për një marzh 1.5 apo 2%”.

Ai është pjesë e rëndësishme e Aktit Normativ.

Gjithashtu ministri vuri në dukje se sektori i industrisë përpunuese ka pasur trajtim të përshpejtuar si në rastin e rimbursimit të TVSH-së, ashtu edhe sa i përket veprimeve me llogaritë e tyre.

Sipas tij, në fund të vitit të kaluar, niveli i rimbursimeve të prapambetura të TVSH-së për biznesit rezultoi zero.

Ndërkaq, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh se është një arritje e madhe që niveli i kredive të këqija në vend ka rënë nga 25% në 4.7%.

Ai theksoi se Shqipëria ka një ecuri të kreditimit më të mirë nga të gjitha vendet e rajonit dhe se sfida e tyre ka qenë për të mbajtur sistemin financiar produktiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore