Shqipëria

Rama jep dy porosi të veçanta për deputetët socialistë, përpara zgjedhjeve


Një mbledhje prej një ore ka qenë ajo e zhvilluar në selinë e Partisë Socialiste, ku kreu i kësaj force politike, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e qarqeve dhe grupin parlamentar socialist, duke u ndalur në dy aspekte dhe porosi të veçanta, përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Siç ka mësuar Albanian Post lidhur me diskutimet brenda takimit, dy kanë qenë pikat kryesore, ku kryeministri është ndalur.

E para, ka të bëjë me mesazhin e qartë se të gjithë deputetët, do të mbajnë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor në zonat e tyre elektorale.

Po ashtu, ai ka kërkuar angazhimin maksimal nga çdo deputet dhe drejtues qarku, për të arritur rezultatet e dëshiruara nga të majtët në 61 bashkitë e vendit.

Një raportim paraprak ka pasur lidhur edhe me sondazhet zgjedhore që PS-ja vazhdimisht kryen, ku kreut të partisë i janë raportuar ato, lidhur me kandidatët për kryebashkiakë, si edhe sa i takon këshilltarëve në Këshillat Bashkiakë.

Ditën e nesërme nga ana tjetër, një takim i radhës pritet në PS, ku Rama do të mbledhë kryesinë e partisë, në orën 17:00.

Një takim shumë më të gjatë lidhur me zgjedhjet vendore, Rama e ka pasur më 6 janar, me 12 drejtuesit e qarqeve në vend, ku për pesë orë ai ka kërkuar raportim të detajuar lidhur me situatën në gjithë bashkitë e vendit.

Ndërkaq, “llogaritë elektorale” socialiste, shënjojnë numrin e 40 bashkive të fituara, si atë të “artë”, duke iu referuar një deklarate të Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Damian Gjiknuri, në mbyllje të vitit 2022.

“Partia Socialiste nuk zbret nën 40 bashki. Këto janë llogaritë elektorale në Shqipëri. Për aq kohë sa nuk ka alternativë të besueshme në krahun tjetër”, ka thënë ai gjatë takimi me gazetarët në 23 dhjetor.

Gjiknuri, i pyetur se kur do të zyrtarizohen kandidatët e PS-së për zgjedhjet vendore, nënvizoi se shumë shpejt Kryesia do të miratojë një udhëzim për zgjedhjen e tyre.

Këtë, duke vijuar konsultimet me strukturat dhe jashtë strukturave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore