Shqipëria

Rama: Ballkani i Hapur po mundëson Procesin e Berlinit


Kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, në hapjen e samitit të radhës, në kuadër të nismës rajonale “Open Balkan”, i cili po zhvillohet në Tiranë, ka nënvizuar sërish pikëpamjen e tij se iniciativa është në fakt organi që mundëson zhvillimin e Procesit të Berlinit.

Sipas Ramës, ky i sotëm është një hap shumë i rëndësishëm për marrëveshjen. Gjithsesi, nuk duhen rreshtur përpjekjet për të nxitur tre vendet e tjera të rajonit, t’u bashkohen Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Një marrëveshje konkrete do të nënshkruhet sot në lidhje me lëvizjen e lirë të mallrave. Memorandumi i bashkëpunimit mbi këtë fushë u firmos në korrik 2021, gjatë samitit që u zhvillua në Shkup. Faktimi vjen tashmë në Tiranë.

Data e implementimit ndërkaq do të jetë ajo e 1 janarit 2023.

Një marrëveshje do të ketë po ashtu në fushën e veterinarisë, ku do të njihen certifikatat e unifikuara veterinare. Një proces, i cili do të lehtësojë edhe punën për qarkullimin e lirë të mallrave.

“Kjo është një mundësi e shkëlqyer. Është aspiratë, aq sa është nismë. Ekipet tona kanë bërë punë të shkëlqyer në përparimin e çdo aspekti legjislativ”, nënvizoi kryeministri.

Ndërkaq, ai shtoi se më shumë duhet bërë në aspektin akademik. Njohja e ndërsjelltë e studimeve, do të jetë parësore.

Teksa, një hap pozitiv, vjen edhe për aspektin ekonomik, me lehtësimin e procedurave fiskale për import-eksportet.

Sipas Ramës, dy pika janë më të rëndësishmet mbi marrëveshjet e arritura.

Në radhë të parë, është fakti që kompanitë, duke parë benefitet e nismës, do të nisin të bashkëpunojnë më gjerësisht mes tyre.

Në radhë të dytë, janë njerëzit, ata të cilët do të kenë përfitimin më të madh, pasi u lehtësohet jetesa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore