Lajme

Rakiç ultimatum Qeverisë: Paralajmëron reciprocitet nëse nuk lejohen votimet në Kosovë për zgjedhjet e Serbisë


Goran Rakiç

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, gjatë ditës së diel të 16 janarit në një konferencë për media në pjesën Veriore të Kosovës ku serbët lokal duke shprehur pakënaqësitë e tyre për moslejimin e mbajtjes së Referendumit në Kosovë po organizojnë një protest simbolike, ka potencuar se kryetarët e 10 komunave me shumicë serbe në Kosovë do të vendosin reciprocitet në Veri të vendit nëse Qeveria e Kosovës nuk e lejon mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale serbe të 3 prillit.

“Nëse me 3 prill nuk lejohen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, atëherë do të vendoset reciprocitet dhe masat do të jenë serioze”, ka thënë Rakiç.

Sipas tij, ky lloj reciprociteti do të bëhet vetëm në komunat e Mitrovicës së Veriut, duke shtuar se më pas do të vendoset edhe në komunat tjera.

Rakiç nuk e ka mohuar mundësinë e vendosjes së barrikadave në pjesën Veriore të vendit, kur është pyetur nga gazetarët për një gjë të tillë.

“Nuk mund të përgjigjem është një pyetje hipotetike, por gjithçka është e mundur”, ka shtuar ai.

“Ashtu siç na trajton Prishtina, ashtu do t’i trajtojmë edhe ne”, ka vazhduar ai.

Më tej Rakiç ka pyetur se pse bashkësia ndërkombëtare nuk i ka hapur vendvotimet në Kosovë për referendumin serb.

“Fatkeqësisht, qendrat e votimit nuk janë të hapura. Kjo është diçka e papranueshme për ne, sepse ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë nga ajo që kanë shqiptarët dhe boshnjakët – të drejtën e votës”, ka potencuar ai.

Ai ka shtuar se ende nuk kanë dëgjuar nga bashkësia ndërkombëtare pse nuk e kanë marrë si më parë materialin e votimit dhe nuk u mundësojnë serbëve të votojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore