Lajme

Rakiç: “Sveçla duke fyer dhe sulmuar serbët po kamuflon dështimet e Qeverisë”


Goran Rakiç dhe Xhelal Sveçla

Lista Serbe, përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, i cili në një intervistë për mediumin serb N1 deklaroi se, “Veriu i Kosovës është vendi ku mbizotëron krimi dhe korrupsioni apo siç e portretizoi ai këtë pjesë të vendit si ‘El Dorado'” për kriminelët serb.

Sipas kryetarit të Listë Serbe, Goran Rakiç, Xhelal Svela përveç se “fyen dhe i poshtëron serbët” me deklaratat e tilla, tregon qartë synimin e tij për ta kthyer Veriun e Kosovës në një vend të konfliktit.

“Nuk do t’ju funksionojë kjo strategji, sepse nuk do ta lejojnë as serbët as shqiptarët, nuk do të lejojmë të përfitoni poena politike nga situata të cilat po dëshironi të krijoni në Veri”, ka pretenduar Rakiç.

Në argumentimin e tij, Rakiç supozon se Xhelal Sveçla në pamundësinë e përmbushjes së premtimeve elektorale po fajëson serbët, po sulmon nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç, shtetin e Serbisë, presidentin Aleksandër Vuçiç, kështu për të larguar vëmendjen nga ky dështim.

“Është paradoksale se për cilën shtet të së drejtës flet Sveçla, i cili pa asnjë bazë ligjore dërgon njësinë speciale në Veri, për të qëlluar me armë zjarri serbët në Veri dhe për t’ju shkatërruar pronat e tyre private”, ka vazhduar me pretendimet Rakiç.

“Asnjë gënjeshtër kundër Radoiçiç-it nuk do ta zvogëlojë përgjegjësinë e Xhelal Sveçlës, je fajtor për ngritjen e tensioneve dhe rrezikimin e paqes, ke premtuar kosovarëve një jetë më të mirë, por qeverisja e juaj ka rritur inflacionin në 15 për qind, nuk keni arritur t’i liberalizoni vizat, nuk keni hapur vende të reja të punë, nuk po shohim asnjë investim të huaj”.

Sipas Rakiç, është cinizëm kur dëgjon nga udhëheqësit kosovarë se në Kosovë po respektohet rendi dhe ligji, kur të njëjtit sipas tij, nuk zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit dhe mburren se kurrë nuk do ta formojnë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Lëreni anash shqetësimet fallco, sepse deklaratat e juaja duken trishtuese përballë realitet që ekziston në Kosovë”.

Krahasimi i Sveçlës për televizionin serb: Veriu i Kosovës është si El Dorado

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore