Lajme

Krahasimi i Sveçlës për televizionin serb: Veriu i Kosovës është si El Dorado


Xhelal Svecla gjate intervistes per N1

Në një intervistë për televizionin N1, kanali në serbisht, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Svela, ka deklaruar se veriu i Kosovës është si El Dorado për kriminelët në 20 vitet e kaluara.

Ai thotë se serbët, shqiptarët dhe boshnjakët janë bashkë të përfshirë në krim, por se ata kanë mbështetje politike për aktivitetet e tyre ilegale nga Beogradi.

Si shembull për ekzistimin e lidhjes mes krimit dhe politikës, ai përmend Milan Radoijçiç-in, nënkryetarin e Listës Serbe, i cili është në “listën e zezë” të SHBA-së, për të cilin Sveçla pohon se gëzon mbështetjen e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Kur analizojmë situatën e sigurisë në Veri, kuptojmë se nuk është vetëm një krizë e fundit. Veriu i Kosovës, pra katër komunat në veri të Kosovës, si zonë ishin si një ‘vrimë e zezë’ në sundimin e ligjit”, deklaron Sveçla.

“Kjo është një zonë e karakterizuar nga një nivel i jashtëzakonshëm i kontrabandës së mallrave, ku lloje të ndryshme të veprave kriminale kanë ndodhur vazhdimisht dhe pa u ndëshkuar”.

Ai rikujton se vetëm në muajt e fundit policia e Kosovës ka zbuluar pesë laboratorë droge në veri, si dhe punëtori për nxjerrjen e bitcoin-it që punonin “në të zezë”.

“Ne ndaluam dhjetë kamionë me mallra kontrabandë, veçanërisht mallra me akcizë dhe u përballëm me grupe të ndryshme kriminale që po përpiqeshin të ruanin këtë situatë kriminale. Ka një lidhje të qartë mes politikës dhe krimit dhe kur them krim e kam fjalën për lidhje shumëkombëshe. Pra, sa herë i kemi arrestuar grupet kriminale, të përbëra nga shqiptarë, serbë, boshnjakë, edhe nga Kosova edhe nga Serbia”, thekson Sveçla.

Ministri kosovar shton se megjithatë është karakteristike se Qeveria e Serbisë jo vetëm që i toleron grupet e përmendura kriminale, por edhe i përkrah dhe i shfrytëzon për të bërë presion shtesë mbi popullatën vendase.

Radoiçiç gëzon mbështetjen e drejtpërdrejtë të Vuçiç-it

Sipas Sveçlës, nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç i cili është i sanksionuar nga Thesari Amerikan i shtetit, është një person me të kaluar kriminale dhe gëzon mbështetje publike jo vetëm në Serbi, por edhe te disa përfaqësues politik të Kosovës.

“Kemi shumë prova se ai ndër të tjera ka hyrë së fundi ilegalisht në Kosovë. Kemi deklarata nga zyrtarë të Listës Serbe të cilët kanë thënë se Radoiçiç ka qenë në barrikada më 31 korrik dhe 1 gusht”, ka shpjeguar Sveçla.

Problemi se pse ai nuk del para drejtësisë kosovare qëndron në atë se autoritetet në Beograd nuk bashkëpunojnë me qeverinë e Kosovës, shpjegon më tej Sveçla.

“Gjërat përkeqësohen, pasi Radoiçiç gëzon mbështetjen e drejtpërdrejtë të Presidentit të serbisë”, shton ai.

Në pyetjen se si ka arritur të futet Radoiçiç në Kosovë kur ai rrjedhimisht kërkohet nga autoritetet kosovare, Sveçla është arsyetuar me atë se Kosova dhe Serbia kanë një vijë të gjatë kufitare dhe kalimi i paligjshëm nga rrugët ilegale është shumë e lehtë.

“Kemi një vijë të gjatë kufitare me Serbinë, kemi arritur të reduktojmë në minimum kontrabandën e mallrave, por kalimi i paligjshëm është relativisht i lehtë”.

Milan Radoiçiç

Serbia është në koordinim të plotë me Rusinë

Sipas Sveçlës, çdo gjë që Serbia bën në lidhje me Kosovën paraprakisht koordinohet me Rusinë.

Si shembull për këtë koordinim Sveçla e jep arrestimin e pseudo-gazetares ruse, Daria Aslamova.

“Dihet se ajo është pjesë e shërbimit inteligjent rus, një person që është shpallur persona non grata në Ukrainë, Moldavi dhe Turqi. Janë të njohura lidhjet e saj me eksponentë të politikes ruse”, ka thënë Sveçla.

“Do të doja të mos zbatonim reciprocitetin me kartat e identitetit, por Serbia keqtrajton qytetarët tanë”

Për Sveçlën vendimi për lëshimin e një dokumenti shtesë të hyrjes nuk do të thotë se shtetasve të Serbisë do t’u hiqen dokumentet, por se do t’u jepet një letër shtesë me një procedurë jashtëzakonisht të shkurtër.

Duke folur për targat, ai ka kujtuar se ka pasur dy marrëveshje në Bruksel lidhje me këtë çështje – njëra e vitit 2011 dhe tjetra e vitit 2016.

“Ndërkohë që disa qytetarë kanë konvertuar targat në RKS, një pjesë e tyre nuk ka pranuar ta bëjë këtë, ne si qeveri kemi vendosur t’u japim këtyre qytetarëve një shans shtesë për t’i konvertuar targat ilegale në RKS”.

Sipas Sveçlës Qeveria e Kosovës është e detyruar të zbatojë reciprocitetin me kartat e identitetit edhe pse në parim nuk dëshiron një gjë të tillë.

“Do të doja të mos kishim fare dokumente hyrje-dalje, por Serbia ka 11 vite që zbaton një praktikë të tillë si dhe i keqtrajton kosovarët, duke i lënë këta të fundit të presin me orë të tëra për t’u pajisur me dokumentacionin përkatës”, ka shtuar ai.

 


Shënim: El Dorado, në shqip “I arti” ose nga origjinali “El Hombre Dorado” që i bie “Njeriu i Artë” ose “Mbreti i Artë” nuk është emërtimi i një vendi, por i një personi. Bëhet fjalë për shekullin 16, kur spanjollët përshkruanin një bandit-mbret të asaj kohe, nga populli indigjenë, që e mbulonte vetën me arë.

Por legjenda më pas ndryshojë dhe El Dorado nga një person, u kthye në një qytet, më pas në një mbretëri dhe përfundimisht në një perandori.

Shumë mbretër në të ardhmen do ta kërkonin këtë qytet prej ari në terrenet e Kolumbisë, Venezuelës dhe Brazilit të sotëm. Në këto ekspedita ishte bërë për herë të parë edhe hartimi dhe topinimi i këtyre pjesëve të pashkelura më parë.

Përfundimisht, El Dorado mbeti si sinonim i një vendi ku hajdutëria i mbivendoset ligjit.


 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore