Lajme

Rakiç njofton se po kthehen në Kosovë 40 familje, në Pejë dhe Prizren


40 familje të shpërngulura nga komuna e Pejës dhe Prizrenit kanë marrë mbështetjen për t’u kthyer në Kosovë në kuadër të projektit “Kthimi dhe riintegrimi në Kosovë”, njoftoi Ministria për Komunitete dhe Kthim.

Sipas deklaratës, ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiç, në takimin e mbajtur në Beograd u tha familjeve se kanë mbështetjen absolute të ministrisë për t’u kthyer në vendet ku kanë jetuar më herët, duke theksuar se është edhe ftesë që të gjithë që janë larguar.

“Besoj se kjo është një ditë e mrekullueshme për familjet, por edhe për ne, sepse vetëm kështu mund t’i çojmë gjërat përpara kur vjen puna tek kthimi, i cili ka kohë që ka ngecur. Me vullnetin e sinqertë të atyre që duan të kthehen në shtëpitë e tyre dhe me koordinimin dhe mbështetjen e të gjithëve ne këto familje do të kthehen në Kosovë”, tha Rakiç.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se është i lumtur që ka pasur mundësinë të dëgjojë personat e zhvendosur nga Kosova dhe se ai do të ndihmojë që kthimi i tyre të jetë i qëndrueshëm.

“Ne kemi programe të shumta për të kthyerit përmes asistencës në materiale ndërtimi, ndihmë financiare, mbjellje dhe material bujqësor e ndihmë juridike falas”.

Familjet me të cilat kanë biseduar sot Rakiç dhe Petkoviç kanë theksuar, se nuk kanë hequr dorë kurrë nga synimi për t’u kthyer në Kosovë dhe se një dorë ndihmëse ishte një gjë e madhe për ta.

Familjet do të kthehen në Kosovë nga projekti “Kthimi dhe Riintegrimi në Kosovë”, i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim, dhe zbatuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM).

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore