Lajme

Radoniqi: Kemi nevojë për ndryshim të sistemit zgjedhor


Kreshnik Radoniqi

Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë të enjten se institucioni që ai drejton ka nevojë për ndryshim të sistemit zgjedhor.

Këtë deklaratë, Radoniqi e bëri gjatë një tryeze të organizuar prej KQZ-së për shoqërinë civile në Ditën Ndërkombëtare të Zgjedhjeve.

Gjatë tryezës shoqëria civile ka kërkuar që të nisë reformimi dhe rishikimi i ligjit për financim të partive politike.

Kryetari i KQZ-së duke pranuar këtë kërkesë , ka shtuar se Kosova ka avancuar në organizimin e këtyre zgjedhjeve.

“Natyrisht që kemi ligj të vjetër dhe ka nevojë për ndërhyrje apo ndoshta edhe ndryshim të sistemit zgjedhor, ajo le të mbetët një çështje që do ta trajtojnë partitë politike, së bashku me ne apo edhe me shoqërinë civile, por një ligj i ri është shumë i nevojshëm për t’u adresuar shumë çështje të cilat janë ngritur nga monitorues të ndryshëm të zgjedhjeve jo vetëm të Bashkimit Evropian por edhe të disa organizatave të tjera që kanë jep rekomandimet e tyre”, ka thënë Radoniqi.

Ndërsa drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu ka thënë se është momentumi më i mirë që Kosova të fillojë me reformën zgjedhore.

Kryeziu ka thënë se parregullsitë dhe sfidat që kanë përcjellë proceset zgjedhore në Kosovë duhet të adresohen përmes një reforme zgjedhore të organizuar nga partitë politike dhe Kuvendi i Kosovës.

E drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, përveç nevojës për reformë zgjedhore ka përmendur edhe çështjen e financimit të partive politike.

“ABC-ja e demokracisë dhe zgjedhjeve është çështja e financimit të partive politike dhe më tepër se si partitë politike i deklarojnë dhe nga i marrin financat dhe mënyrën se si i shpenzojnë. Nëse partitë politike në esencë nuk janë transparente në mënyrën se si financohen dhe mënyrën se si i shpenzojnë ato financa që i kanë atëherë qysh mund të presim që ato kur te vijnë në pushtet kanë me qenë transparente në menaxhim të buxhetit të shtetit apo te komunave të caktuara”, ka thënë Demhasaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore