Lajme

Qytetarët e Katarit do të hyjnë pa viza në vendet e zonës Shengen


Tani, shtetasit e Katarit kanë të drejtë të udhëtojnë në vendet e zonës Shengen të Bashkimit Evropian pa u kërkuar që fillimisht të aplikojnë për vizë.

Vendimi është konfirmuar nga Parlamenti Evropian, sipas “Schengen Visa Info”.

Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme ka votuar në favor të Katarit.

Vetëm 16 deputetë të Parlamentit Evropian kanë votuar kundër.

Sakaq, ky vendim i ri është marrë në mes të Kupës së Botës 2022.

Majed bin Mohammed Al Ansari, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme, ka theksuar se Ministria e Punëve të Jashtme e ka përshëndetur këtë vendim të Komisionit.

Një vendim ky, sipas tij, që përjashton të gjithë qytetarët e Katarit nga kërkesat për viza kur udhëtojnë në vendet e zonës Shengen.

Ai ka folur edhe për hapat e ardhshëm, të cilët përfshijnë edhe fillimin e diskutimeve në një komision që përfaqëson Komisionin Evropian, Bashkimin Evropian, si dhe Parlamentin Evropian.

E gjitha për të krijuar një plan konkret për marrëveshjen e përjashtimit të vizave mes Katarit dhe BE-së.

Kurse Abdulaziz bin Ahmed Al Malki, Ambasador i Shtetit të Katarit në BE dhe NATO, e ka konsideruar vendimin një hap themelor.

Po ashtu ka ravijëzuar se votimi vjen si pjesë e përpjekjeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit për t’u kujdesur për interesat e qytetarëve dhe për të përshpejtuar udhëtimet e tyre në të gjitha vendet e botës.

Komisioni Evropian, në prill të vitit 2022, propozoi heqjen e vizave për Katarin, duke theksuar se ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për të përfunduar këtë proces.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore