Lajme

QUNT-i me deklaratë të përbashkët: S’është e thënë që kryetarët të betohen në objektet komunale – palët të përmbahen nga përdorimi i forcës


Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kosovë, të njohura ndryshe si shtetet e QUINT-it në mbrëmjen e së enjtes kanë lëshuar një deklaratë, një ditë para betimit të kryetarit të sapozgjedhur të komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, duke bërë thirrje që “palët të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”.

“Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk ka kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale”, thuhet në komunikatën e tyre.

Ndërkaq, QUINT-i bënë thirrje “të gjithë aktorëve që urgjentisht të punojnë së bashku midis të gjitha palëve të interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme përfaqësuese pjesëmarrëse në këto komuna”.

“Më 23 prill, në veri të Kosovës u mbajtën katër zgjedhje për kryetar komune dhe dy zgjedhje për asamble komunale, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Megjithatë, pas bojkotit nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna”.

Po ashtu, aty thuhet se “ne mbështesim Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë nevojën për progres urgjent për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Ndryshe, të premten do të betohet kryetari i ri i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, në objektin e Komunës në veri të Mitrovicës.

Atiq është zgjedhur kryetar i Komunës në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në Veri të Kosovës, të mbajtura me 23 prill.

Në këto zgjedhje nuk kishin marrë pjesë kandidatë serbë, por vetëm shqiptarë. Partitë serbe, veçanërisht partia më e madhe e serbë në Kosovë – Lista Serbe, e cila dirigjohet nga Serbia, kishte bojkotuar këtë proces zgjedhor, madje kishte bërë thirrje së bashku me institucionet serbe që të bojkotohen këto zgjedhje.

Kërcënimet dhe thirrjet që ishin bërë nga Lista Serbe, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe vartësit e tij kishte bërë që pjesëmarrja të ishte shumë e ulët.

Nga mbi 40 mijë qytetarë me të drejt vote, të drejtën e tyre e kishin shfrytëzuar pak më shumë se 1 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore