Zgjedhjet në Kosovë

Quni: Vishuni bukur e mirë dhe dilni të votoni


Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për kryetar të Komunës së Prizrenit, Anton Quni

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për kryetar të Komunës së Prizrenit, Anton Quni, i shoqëruar nga nëna dhe bashkëshortja e tij, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Quni përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka kujtuar edhe thënien e ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës, “vishuni bukur e mirë dhe dilni të votoni”.

“Ftoj të gjithë qytetarët e komunës që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës. Siç e thoshte, Presidenti historik Rugova, vishuni bukur e mirë dhe dilni të votoni, sepse duke përmbushur këtë obligim ne tregojmë pjekuri, aktivizëm dhe demokraci qytetare” ka shkruar Quni në Facebook.

Në Kosovë të drejtë vote kanë 1 milion e 885 mijë e 448 persona në zgjedhjet lokale të dielës së këtij 17 tetori.

Ndërsa për herë të parë në këto zgjedhje do të votojnë 41 mijë persona.

Por, gjatë këtyre zgjedhjeve do të kenë të drejtën e votës 90 mijë e 586 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të po këtij viti.

Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë territorin e Kosovës është 883, me gjithsejtë 2 mijë e 477 vendvotime.

KQZ mori vendime të veçanta për certifikimin e 89 subjekteve politike (32 parti politike; 1 koalicion; 33 iniciativa qytetare; 23 kandidatë të pavarur) dhe 552 kandidatëve të tyre.

Mirëpo, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit është 5 mijë e 364 kandidatë, ku nga të cilët 166 kandidatë për kryetar të komunave dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale.

KQZ ka njoftuar se për Kryetarë të Komunave janë shtypur gjithsejtë 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime, ndërsa për zgjedhjet për Kuvende Komunale janë shtypur po ashtu 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime. Pra, numri i përgjithshëm i fletëvotimeve është 3 milion e 397 mijë e 200 fletëvotime.

KQZ-ja, ka shtypur 186 mijë e 848 fletëvotime më pak se sa ka votues apo në përqindje 9,91%. Kjo sipas tyre është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore