Shqipëria

‘Qeveria të bëjë kujdes për ligjin e Amnistisë Fiskale’, Banka Botërore: Do të rritet numri i të varfërve


Banka Botërore i ka bërë thirrje qeverisë të bëjë kujdes me amnistinë fiskale për shkak të rreziqeve që shoqërojnë këtë proces.

Menaxheri i Bankës Botërore Emanuel Salinas tha se qeveria me këtë nismë po përpiqet të rrisë të ardhurat por duhet të minimizohen rreziqet që amnistia ka.

“Siç e dini qeveria ka nisur konsultimet mbi këtë projektligj. Ne jemi ftuar që të marrim pjesë në këto konsultime dhe ne kemi ofruar komentet tona për qeverinë mbi këtë çështje. Ne e kuptojmë se në këto momente qeveria po përpiqet të rrisë të ardhurat dhe kjo perceptohet si një mundësi”.

Në kushtet e një krize globale, Banka Botërore tha se inflacioni i lartë i ushqimeve dhe energjisë mund të çojë drejt varfërisë një pjesë të madhe të grupeve të cenueshme.

Sipas Hilda Shijakut ekonomiste e lartë në bankën botërore skema e ndihmës ekonomike duhet t’i përshtatet situatës së rritjeve të çmimeve.

“Inflacioni ushqimeve dhe energjisë janë këto faktorë që mund të çojnë drejt varfërisë në një numër relativisht të madh të njerëzve duke qenë se këto elemente kanë një peshë më të rëndësishme në shportën e këtyre grupeve”.

Kjo krizë e çmimeve sipas Bankës Botërore do të ndikojë në ngadalësimin e rritjes ekonomike që për 2022 do të jetë në 3.2%, ndërsa për dy vitet e ardhshme do të jetë më e ulëta në rajon.

“Parashikimet tona bazë janë për një ngadalësim të rritje ekonomike, përkatësisht me 2.8 dhe 3% për vendet e Ballkanit Perëndimor, për Shqipërinë këto parashikime janë nga 3.2% në 2.5 por janë parashikime të cilat do të rivlerësohen në vijim duke qenë se dhe rreziqet janë të shtuara e kemi riparë rritjen ekonomike në bazë të faktorëve që lidhen me mjedisin e jashtë”.

Përballë goditjeve aktuale, Shqipëria sipas Bankës Botërore ka nevojë për politika dhe reforma që nxisin rritjen ekonomike.

Çfarë përmban paketa e re fiskale?

Disa ditë më parë Ministria e Financave dhe Ekonomisë propozoi një paketë të re fiskale për t’u zbatuar në vitin 2023.

Ajo ka kërkuar rritjen e penalitetit për tatimpaguesit për mosdeklarim të punonjësve dhe fshehje të pagës.

Sipas një drafti – të parë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare – kjo masë vjen si rezultat i domosdoshmërisë për ashpërsimin e penaliteteve për këtë kategori shkeljesh dhe tatimpaguesish.

Deklarimi i punonjësve në skemën e sigurimeve shoqërore dhe deklarimi i pagës reale të tyre, ishte në fokus të planit operacional kundër informalitetit në fillim të këtij viti, për zbatimin e të cilit u ngrit edhe një njësi speciale.

Po ashtu, Ministria ka njoftuar aplikimin e ndryshimeve  ligjore në ligjin e Procedurave Tatimore.

Nëpërmjet këtyre ndryshimeve Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve merr kompetenca  për të kontrolluar individët e pasur në vend.

Me fjalë më të thjeshta, do të krijohet një databaze me individët e pasur, të cilët do të jenë subjekt kontrolli për evazion fiskal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore