Lajme

Qeveria talebane: “Lista e zezë e SHBA-ve, shkelje e Marrëveshjes së Dohas”


“Pozicioni i fundit amerikan në lidhje me listën e zezë është një shkelje e Marrëveshjes së Dohas”.

Kjo ka qenë përgjigja e zëdhënësit për shtyp të talebanëve, Zabihullah Mujahid, nëpërmjet një postimi në Twitter mëngjesin e 9 shtatorit, përsa i përket shqetësimit të SHBA-ve në lidhje me emrat që përbëjnë qeverinë e përkohshme talebane.

Kabineti i përkohshëm udhëhiqet nga Mulla Mohammad Hassan Akhund, i cili është në listën e zezë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Një figurë tjetër, Sirajuddin Haqqani, ministri i Brendshëm, kërkohet nga Byroja Kombëtare e Hetimit (FBI).

Mujahid i bëri thirrje SHBA-ve dhe vendeve të tjera të ndalin deklaratat e tilla provokuese. Sipas tij këta vende po ndërhyjnë në punët e brendshme të Afganistani. Këtë të fundit, vijon ai, “Emirati Islamik e dënon me fjalët më të forta”.

“Ne bëjmë thirrje që këto politika të pasakta të përmbysen menjëherë përmes ndërveprimeve diplomatike”.

Zëdhënësi thekson faktin se, ”Shkelje e Marrëveshjes së Dohas nuk është as në interes të SHBA-ve dhe as Afganistanit”.

Nga ana tjetër ravijëzon Mujahid se, familja Haqqani është pjesë e Emiratit Islamik dhe nuk ka një emër të veçantë ose strukturë organizative.

Sipas kësaj Marrëveshje, thotë ai, “të gjithë zyrtarët e Emiratit Islamik pa asnjë përjashtim ishin pjesë e ndërveprimit me SHBA-të dhe duhej të ishin hequr nga listat e zeza të OKB-së dhe SHBA-ve, një kërkesë e cila ende mbetet e vlefshme”.

“Vërejtje të tilla nga zyrtarët amerikanë janë një përsëritje e eksperimenteve të dështuara në të kaluarën. Pozicione të tilla janë të dëmshme për Amerikën”, e mbyll ai.

Lista e zezë

Në një deklaratë të martën, Departamenti i Shtetit Amerikan tha se, “vërejmë se lista e shpallur e emrave përbëhet ekskluzivisht nga individë që janë anëtarë të talebanëve ose bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë dhe asnjë grua”.

Sirajuddin Haqqani, është kreu i grupit militant të njohur si rrjeti Haqqani. Kjo e fundit ka qenë prapa disa prej sulmeve më vdekjeprurëse në luftën 20-vjeçare të vendit – përfshirë shpërthimin e një kamioni bombë në Kabul në 2017-ën që vrau më shumë se 150 njerëz.

Ndryshe nga talebanët më të gjerë, rrjeti Haqqani është caktuar një organizatë e huaj terroriste nga SHBA-të. Ajo gjithashtu mban lidhje të ngushta me al-Qaeda-n dhe grupin e militantëve të Shtetit Islamik (IS).

FBI-ja ka deklaruar se ai kërkohet për marrjen në pyetje mbi një sulm të vitit 2008 në një hotel që vrau një amerikan dhe ishte pas sulmeve ndaj forcave amerikane në Afganistan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore