Lajme

E shkuara e errët e qeverisë së re talebane


Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se janë të shqetësuara pasi talebanët prezantuan qeverinë e re të Afganistanit – të gjithë meshkuj – me figura të lidhura me sulmet ndaj forcave amerikane.

Kabineti i përkohshëm udhëhiqet nga Mulla Mohammad Hassan Akhund, i cili është në listën e zezë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Një figurë tjetër, Sirajuddin Haqqani, kërkohet nga Byroja Kombëtare e Hetimit (FBI).

Grupi islamik mori kontrollin e Afganistanit në një ofensivë gjithëpërfshirëse më shumë se tre javë më parë.

Që atëherë, demonstratat e drejtuara nga gratë janë mbajtur kundër islamikëve.

Militantët mohojnë të përdorin dhunë kundër tyre, por qeveria e tyre përballet me shumë sfida të vështira në vendin e shkatërruar nga konflikti, përfshirë stabilizimin e ekonomisë dhe fitimin e njohjes ndërkombëtare.

Grupi më herët kishte deklaruar se do të formonin një qeveri të përkohshme.

Në një deklaratë të martën, departamenti i shtetit amerikan tha se, “vërejmë se lista e shpallur e emrave përbëhet ekskluzivisht nga individë që janë anëtarë të talebanëve ose bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë dhe asnjë grua”.

Deklarata tha se Uashingtoni, “do të vazhdojë t’i mbajë talebanët në angazhimet e tyre”, për të lejuar kalimin e sigurt për shtetasit e huaj dhe afganët me dokumente udhëtimi, “përfshirë lejimin e fluturimeve aktualisht gati për të fluturuar jashtë Afganistanit”.

“Ne gjithashtu përsërisim pritshmërinë tonë të qartë që talebanët të sigurojnë që toka afgane të mos përdoret për të kërcënuar ndonjë vend tjetër”.

Ministrave iu tha të zbatojnë ligjin islam

Më herët të martën, një deklaratë që i atribuohet udhëheqësit suprem të talebanëve Mawlawi Hibatullah Akhundzada i tha qeverisë të respektojë ligjin e Sheriatit – sistemin ligjor të Islamit.

Talebanët duan marrëdhënie “të forta dhe të shëndetshme”, me vendet e tjera dhe do të respektojnë ligjet dhe traktatet ndërkombëtare për sa kohë që ato nuk bien ndesh me “ligjin islam dhe vlerat kombëtare të vendit”, tha ai.

Hassan Akhund – kryeministri i ri i përkohshëm – shërbeu si zëvendësministër i jashtëm nga viti 1996 deri në 2001-in, kur militantët ishin në pushtet për herë të fundit. Ai ka ndikim më shumë në anën fetare të lëvizjes, sesa në anën ushtarake.

Emërimi i tij shihet si një kompromis, pas raporteve të fundit për luftime mes disa figurave relativisht të moderuara talebane dhe kolegëve të tyre të vijës së ashpër.

Ministri i Brendshëm në listën e terrorizmit amerikan

Sirajuddin Haqqani, ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, është kreu i grupit militant të njohur si rrjeti Haqqani. Kjo e fundit ka qenë prapa disa prej sulmeve më vdekjeprurëse në luftën 20-vjeçare të vendit – përfshirë shpërthimin e një kamioni bombë në Kabul në 2017-ën që vrau më shumë se 150 njerëz.

Ndryshe nga talebanët më të gjerë, rrjeti Haqqani është caktuar një organizatë e huaj terroriste nga SHBA-të. Ajo gjithashtu mban lidhje të ngushta me al-Qaeda-n dhe grupin e militantëve të Shtetit Islamik (IS).

FBI-ja ka deklaruar se ai kërkohet për marrjen në pyetje mbi një sulm të vitit 2008 në një hotel që vrau një amerikan dhe ishte pas sulmeve ndaj forcave amerikane në Afganistan.

Emërimet e tjera në qeverinë e re përfshijnë:

Mullah Yaqoob si ushtrues i detyrës së ministrit të Mbrojtjes. Ai është djali i themeluesit të talebanëve dhe udhëheqësit suprem të ndjerë, Mullah Omar

Bashkëthemeluesi i talebanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar do të jetë një nga zëvendësuesit e kryeministrit. Ai mbikëqyri nënshkrimin e marrëveshjes së tërheqjes amerikane vitin e kaluar

Amir Khan Muttaqi, një ministër i jashtëm i përkohshëm, gjithashtu mori pjesë në bisedimet e tërheqjes

Talebanët tani pretendojnë kontrollin e plotë të Afganistanit, duke thënë se kanë mundur luftëtarët e rezistencës në luginën Panjshir, në veri të Kabulit.

Fronti i Rezistencës Kombëtare të Afganistanit (NRF) tha se “e konsideron njoftimin e kabinetit kujdestar të talebanëve të paligjshëm dhe një shenjë të qartë të armiqësisë së grupit me popullin afgan”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore