Lajme

Qeveria po provon t’i pasqyrojë mjekët dhe profesorët si “keqbërës dhe keqpërdorues” , prandaj edhe Ligji tash i detyron edhe ata ta deklarojnë pasurinë


Foto: Albanian Post.

Për herë të parë në Kosovë u detyruan që pasurinë e tyre ta deklarojnë edhe dy kategori të tjera që asnjëherë më parë nuk ishin përfshirë në këtë proces – mjekët dhe profesorët.

Me ligjin që ishte para këtij të fundit, vetëm drejtorët e klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ishin të obliguar ta deklarojnë pasurinë.

Ndërsa, çdo vit pothuajse deklaronin pasurinë në Kosovë rreth 5 mijë zyrtarë publik, nisur nga presidentja, kryeministri, ministrat, deputetët, kryetarët e komunave e deri tek mijëra zyrtarë të tjerë që kanë pozita udhëheqëse.

Megjithatë, nga anëtarë të Komisionit për Shëndetësi ky ligj po konsiderohet si i padrejtë.

Kjo për shkak se i njëjti s’detyron të gjitha kategoritë e mjekëve që ta deklarojnë pasurinë.

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi njëherësh deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shemsedin Dreshaj, thotë se ky ligj i pasqyron mjekët si “keqbërës” dhe “keqpërdorues” të shtetit.

“Është ligj diskriminues ndaj mjekëve dhe profesorëve për shkak se paragjykohen se janë keqbërës dhe keqpërdorues ndaj shtetit. Diskriminimi është bërë duke marrë vendim që disa kategori të tjera të mos e deklarojnë pasurinë, kurse mjekët duhet ta paraqesin e po ashtu edhe profesorët e universitetit”, thotë Dreshaj gjatë bisedës për Albanian Post.

Ilustrim.

Tutje, ai sqaron arsyen se përse konsideron se po bëhen diskriminime përmes formës që zgjodhi pushtetit për deklarimin e pasurisë për këto dy kategori.

“Mjekët specialistë duhet të gjithë ta deklarojnë pasurinë, profesorët e universitetit duhet të gjithë ta deklarojnë pasurinë, kurse stomatologët nuk e deklarojnë pasurinë. Këto janë ato diskriminime që janë bërë”.

Pritshmëritë e Dreshajt të paktën në këtë drejtim ishin më ndryshe.

“Ky ligj është jofunksional, i keq, i gabueshëm në aspektin e implementimit. Kjo shoqëri është dashur të mendojë më ndryshe, sepse kjo paragjykon që mjeku vjedh, e po ashtu se çdo specialistë mund të jetë i seleksionuar në aspektin negativ”.

Ndërsa, ankesa ka se askush nuk i pyeti se çfarë mendojnë për hyrjen në fuqi të këtij ligji.

“Mbi 1 mijë mjekë e profesorë deklarojnë pasurinë – 1 mijë të tjerë refuzojnë”

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post bën të ditur numrin e mjekëve dhe profesorëve që kanë deklaruar pasurinë deri tani.

Afati kohor për deklarimin e pasurisë përfundon të martën e 12 marsit.

“Mjekë dhe profesorë (së bashku), e kanë kryer 1 mijë e 48 persona deklarimin e pasurisë, kanë filluar edhe 665 të tjerë por si kanë përfunduar. Kurse, 432 të tjerë s’kanë filluar deklarimin e pasurisë”, thotë Buleshkaj.

Albanian Post ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga disa mjekë lidhur me ketë proces, por që të njëjtit kanë refuzuar të flasin.

Duke thënë se edhe nga ana e tyre ky ligj është konsideruar si diskriminues për kategorinë e caktuar brenda profesionistëve shëndetësorë si dhe në raport me profesionistët e lëmive të tjera intelektuale.

Agjencia Kundër Korrupsionit.

Pavarësisht ankesave, ata thonë se s’kanë zgjidhje tjetër, përveç se ta respektojnë këtë ligj, ndërsa s’dëshirojnë të deklarohen publikisht pasi konsiderojnë se i njëjti vendim tashmë është i kryer dhe s’mund të ndryshojnë asgjë përmes deklaratave.

10 dhjetor të 2021-së, ishte miratuar kërkesa e zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, që mjekët dhe profesorët që punojnë në institucionet publike të futen në kategorinë e zyrtarëve publikë që duhet të deklarojnë pasurinë.

“Ky projektligj ka parapa dispozita për funksionalizim të programit. Zgjatja e afatit të aplikimit sepse afatet ligjore janë shumë të shkurtra, ridefinimi i llojeve të dëmeve të kompensueshme dhe shumave të kompensimeve, janë shqyrtuar lartësitë e kompensimeve”, kishte thënë Sallahu.

Sipas tij, ky projektligji do të ndihmojë në ngritjen e transparencës.

Deklarimi i pasurisë nga personat publikë në Kosovë ka filluar qysh në vitin 2007.

Pas përfundimit të procesit të deklarimit të pasurisë, Agjencia Kundër Korrupsionit, përmes shortit, zgjedh një numër të caktuar të zyrtarëve publikë, të cilëve ua verifikon pasurinë e deklaruar.

Ligji për deklarimin e pasurisë i obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri dhe pastaj në baza vjetore.

Mosdeklarimi i pasurisë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa deklarimi i rremë i pasurisë është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.

Deri më tash, asnjë nga zyrtarët që nuk e ka deklaruar pasurinë, nuk është dënuar me burg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore