Lajme

Mosdeklarimi i pasurisë nuk dënon zyrtarët shtetërorë me burg


Ilustrim

Verifikimi i prejardhjes së pasurisë së deklaruar të zyrtarëve të lartë shtetërorë në Kosovë, po vazhdon të jetë mision i pamundur.

Përfaqësues të shoqërisë civile pohojnë se kjo po ndodh për shkak të mungesës së mekanizimeve ligjore.

Leotrim Gashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë për Albanian Post se dënimet të cilat shqiptohen për mos deklarim të pasurisë së zyrtarëve janë shumë të ulëta.

Sipas Gashit, po të kishte dënime më të ashpra, atëherë do të kishte një numër më të vogël të zyrtarëve të cilët nuk do të deklaronin pasurinë.

“Nga monitorimi ynë ne kemi parë se gjykatat ndaj zyrtarëve të shtetit të cilët nuk e deklarojnë pasurinë, është duke shqiptuar dënime me kusht apo dënime me gjobë por akoma nuk kemi ndonjë vendim të gjykatës me të cilin i akuzuari do të dënohej me burgim efektiv”, pohon Gashi.

Por, Gashi thekson se kjo situatë vazhdon të mbetet shqetësuese shkaku i mungesës së ndjekjes penale.

“Situatë akoma më shqetësuese është edhe mungesa e ndjekjes penale për deklarim të rremë i pasurisë, e cila vepër është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vite”.

Ndërkaq Lumnije Demi nga Agjencia kundër Korrupsionit, bën të ditur për AP se rreth 5 mijë zyrtarë shtetërorë kanë pasur obligim që të deklarojnë pasurinë.

Por, sipas saj mbi 100 prej këtyre zyrtarëve nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor.

“Në mesin e këtyre zyrtarëve, 4 mijë e 769 zyrtarë publikë kanë përmbushur obligim ligjor brenda afatit ligjor dhe kanë dorëzuar formularët e tyre. Ndërsa pas afatit e kanë deklaruar pasurinë 56 zyrtarë të lartë publikë. Njëzetepesë nuk e kanë deklaruar fare dhe 28 prej tyre për arsye shëndetësore dhe të tjerët nuk kanë deklaruar arsye”, potencon Demi.

“Agjencia kundër Korrupsionit do të bëjë kontrollin e plotë të pasurisë të 20 për qind të zyrtarëve që janë obliguar të deklarojnë pasurinë e tyre. Nga gjithsej 4 mijë e 769 subjekte deklaruese, 954 zyrtarë do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga ana e Agjencisë”.

Në anën tjetër, Instituti i Kosovës për Drejtësi vazhdon të kërkoj dënime më të ashpra për mos deklarimin e pasurisë.

“Shumica e rasteve të mos deklarimit ose deklarimit të rremë, dënohen me kusht ose me gjobë ne vlerë prej 300 eurosh”, bëjnë të ditur nga ky institut.

Rreth 5 mijë zyrtarë shtetërorë në Kosovë kanë pasur obligim që të deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), në afatin prej 30 ditësh, nga data 1 mars deri më 31 mars.

Ligji për deklarimin e pasurisë obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri dhe pastaj në baza vjetore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore