Lajme

Qeveria nuk ndan buxhet për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë


Qeveria e Kosovës.

Për manifestimin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Qeveria nuk ka ndarë mjete shtesë financiare edhe pse do të ketë 30 ditë aktivitete të ndryshme festive.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se Këshilli Shtetëror Organizativ është pajtuar që secili institucion përgjegjës për aktivitetet e veta, buxhetin e siguron nga buxhetet vetanake.

“Vendimi i Qeverisë për themelimin e Këshillit Shtetëror Organizativ nuk e specifikon buxhetin. Për shkak të vëllimit shumë të madh të aktiviteteve dakordimi brenda Këshillit ka qenë që secili institucion përgjegjës për aktivitetet e veta, buxhetin e siguron nga buxheti vetanak”.

Në rast të nevojës për një buxhet më të lartë, ai shton se do të paraqesin kërkesë tek Ministria e Financave.

Logoja e 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

“Pra nuk do të ketë buxhet qendror të planifikuar por do të jetë një lloj buxheti të decentralizuar ku secili institucion bartës i aktiviteteve e siguron buxhetin brenda buxheteve vetanake në përjashtim të rasteve kur kemi nevoja shumë më të mëdha buxhetore atëherë do të ketë ndarje shtesë nga Ministria e Financave”.

“Megjithatë, në parim po flasim për një buxhet të konsiderueshëm”, theksoi Kryeziu në një përgjigje me shkrim për agjencinë e lajmeve Kosovapress.

Qeveria e Kosovës, të mërkurën ka prezantuar programin shtetëror për manifestimin e 15-vjetorit të pavarësisë dhe 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Prej datës 9 shkurt deri më 12 mars do të ketë aktivitete për shënimin e këtyre dy datave të rëndësishme dhe jubilare të Kosovës.

Më 17 shkurt këtë herë nga Qeveria e Kosovës do të mbahet edhe një mbledhje solemne.

Kosova ka shpallur pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore