Lajme

Qeveria miraton mbi 250 mijë euro për organizimin e zgjedhjeve në Veri


Foto: Albanian Post.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen elektronike të mbajtur të premten ka miratuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për ndarjen e mbi 250 mijë eurove për procesin e votimin për apo kundër largimin të kryetarëve në komunat veriore.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate dërguar mediave.

“Kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 252,004 € për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat: Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, është miratuar edhe nisma e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, për amendamentimin e Marrëveshjes për Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Organizatat e Grupit të Bankës Botërore.

“E ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me Ligjin Nr. 03/L-152 për “Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Organizatat e Grupit të Bankës Botërore”, dhe shpallur me dekretin Nr. DL-013-2009, datë 30.05.2009 nga Presidenti i Republikës së Kosovës”.

Më 11 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte ndarë mbi 200 mijë euro për organizimin e procesit të votimit për komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut, që do të mbahet më 21 prill të këtij viti.

“Sipas vendimit të KQZ-së, buxheti i planifikuar për organizimin e këtij procesi është në shumën: 233,204 Euro”, thuhet në njoftim për media të KQZ-së.

Tri ditë parë, rekomandimi për caktimin e 21 prillit u bë nga Sekretariati i KQZ-së, pasi që ka verifikuar nënshkrimet e dorëzuara të peticioneve nga Kuvendet Komunale të komunave përkatëse.

Nga Sekretariati i KQZ-së, që ka qenë përgjegjës për verifikimin e nënshkrimeve, bënë me dije se është arritur kërkesa prej 20 për qind të nënshkrimeve në raport me numrin e përgjithshëm të votuesve, çka i hapi rrugë votimit për largimin e krerëve të komunave Veriore.

Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në Veri, u bë janarin e këtij viti.

Këto nënshkrime ishin mbledhur në një periudhë të shkurtër kohore.

Kryetarët shqiptarë të komunave Veriore, ishin zgjedhur më 23 prill të vitit të kaluar.

Bojkotimi që serbët e Veriut – që janë shumicë në këtë pjesë të Kosovës – i kishin bërë këtyre zgjedhjeve, kishte bërë të mundur që për herë të parë ato komuna të udhëhiqen nga shqiptarët.

Mirëpo, ngjarjet që pasuan pas këtyre zgjedhjeve do të shkaktonin tensionet më të larta në atë pjesë të vendit.

Vendimi i institucioneve kosovare për t’i instaluar në zyrat e tyre kryetarët e komunave, kishte hasur në kundërshtim të ashpër të serbëve lokalë.

Të prirë nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit – ata kishin qenë shumë të dhunshëm në protestat e 26 dhe 29 majit.

Madje, më 29 maj, si pasojë e dhunës së shkaktuar nga protestuesit serbë të Kosovës kishin mbetur të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Për situatën e krijuar në Veri, fajtore kryesore nga bashkësia ndërkombëtare ishte bërë Kosova. Për këtë, ndaj Prishtinës zyrtare Bashkimi Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese – ende në fuqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore