Lajme

KQZ-ja ndan mbi 200 mijë euro për organizmin e zgjedhjeve në Veri


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndarë mbi 200 mijë euro për organizimin e procesit të votimit për komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut, që do të mbahet më 21 prill të këtij viti.

“Sipas vendimit të KQZ-së, buxheti i planifikuar për organizimin e këtij procesi është në shumën: 233,204 Euro”, thuhet në njoftim për media të KQZ-së.

Tri ditë parë, rekomandimi për caktimin e 21 prillit u bë nga Sekretariati i KQZ-së, pasi që ka verifikuar nënshkrimet e dorëzuara të peticioneve nga Kuvendet Komunale të komunave përkatëse.

Nga Sekretariati i KQZ-së, që ka qenë përgjegjës për verifikimin e nënshkrimeve, bënë me dije se është arritur kërkesa prej 20 për qind të nënshkrimeve në raport me numrin e përgjithshëm të votuesve, çka i hapi rrugë votimit për largimin e krerëve të komunave Veriore.

Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në Veri, u bë janarin e këtij viti. Këto nënshkrime ishin mbledhur në një periudhë të shkurtër kohore.

Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në Veri, u bë janarin e këtij viti. Këto nënshkrime ishin mbledhur në një periudhë të shkurtër kohore.

Kryetarët shqiptarë të komunave Veriore, ishin zgjedhur më 23 prill të vitit të kaluar. Bojkotimi që serbët e Veriut – që janë shumicë në këtë pjesë të Kosovës – i kishin bërë këtyre zgjedhjeve, kishte bërë të mundur që për herë të parë ato komuna të udhëhiqen nga shqiptarët.

Mirëpo, ngjarjet që pasuan pas këtyre zgjedhjeve do të shkaktonin tensionet më të larta në atë pjesë të vendit. Vendimi i institucioneve kosovare për t’i instaluar në zyrat e tyre kryetarët e komunave, kishte hasur në kundërshtim të ashpër të serbëve lokalë.

Të prirë nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit – ata kishin qenë shumë të dhunshëm në protestat e 26 dhe 29 majit.

Madje, më 29 maj, si pasojë e dhunës së shkaktuar nga protestuesit serbë të Kosovës kishin mbetur të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Për situatën e krijuar në Veri, fajtore kryesore nga bashkësia ndërkombëtare ishte bërë Kosova. Për këtë, ndaj Prishtinës zyrtare Bashkimi Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese – ende në fuqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore