Lajme

Qeveria me Shumë Zero


Albin Kurti dhe Besnik Bislimi

Loja me shumë zero, në Teorinë e Lojës, është prezantimi i situatës kur në çfarëdo ndërveprimi, njëra palë fiton saktësisht dhe në mënyrë të balancuar me aq sa humbë pala tjetër. Praktikisht, s’mund të jenë dy fitues.

Por, shumë zerot e shpërfaqura Përmes Raportit Financiar të Thesarit të Republikës së Kosovës, i cili është bërë publik nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, tregojnë një situatë pa fitues fare.

Nga buxheti i planifikuar, del se sa u përket investimeve kapitale, është realizuar vetëm 9 për qind, duke shpërfaqur kështu një tabelë të gjatë me shifra identike zero.

Por, sa keq është për një shtete që qeveria të mos e realizojë buxhetin për investime kapitale në 82 për qind?

Është shumë keq.

Ekonomistët i kanë treguar Albanian Post se ekonomia e Kosovës nuk mund të jetë as e qëndrueshme, e as me tendenca stabile të rritjes në rast se nuk ka rritje të prodhimit dhe investimeve kapitale.

Raportit Financiar i Thesarit të Republikës së Kosovës.

Çka janë investimet kapitale?

Njohësi i ekonomisë, Nagip Skenderi, mosmenaxhimin e duhur të ekzekutivit veçanërisht në fushën e ekonomisë e quan “paaftësi të Qeverisë”.

Ai tregon për Albanian Post pasojat që sjell neglizhenca në këtë drejtim.

“Fakti se 91% e projekteve kapitale nuk janë realizuar nuk do koment”, thotë Skenderi.

“Ky mosefikasitet i Qeverisë (ku kemi disa ministri me 0% realizim të projekteve kapitale) si pasojë sjell edhe thellimin e mëtejmë të rënies ekonomike, mbylljen e aktiviteteve biznesore që përkthehen në humbjen e vendeve të punës, rritjen e varfërisë dhe rënien e standardit social dhe bëhet një vatër potenciale për krizën ekonomike”.

Kjo, pohon Skenderi, do të shihet më së miri/keqi “gjatë sezonit dimëror”.

Investimet kapitale janë shpenzime afatgjata që mund të sigurojnë kthime në të ardhmen.

Qeveria dhe institucionet, po ashtu edhe ndërmarrjet, mund të bëjnë investime kapitale jo vetëm në prodhim (për zgjerim dhe modernizim të teknologjisë, makinave dhe pajisjeve), por edhe në infrastrukturën e përgjithshme publike që kanë si objektiv punësimet dhe përmirësimet e statusit të përgjithshëm social të popullatës, në ngritjen e standardit jetësor etj.

“Është një fatkeqësi paradoksale që në Kosovë investimet kapitale këtë vit janë ndër më të ulëtat në këtë dekadën e fundit”.

As viti i kaluar s’ishte gjithaq më i mirë, thotë Skenderi.

“Shpenzimi i buxhetit për investime kapitale gjatë vitit paraprak (2021) kanë qenë 19% në nivelin qendror dhe 26% në nivelin lokal”.

Për çudi, jo vetëm të ekonomistëve, “në vitin 2020 kur ishte ‘vit pandemik’ kishim një performancë shumë më solide të investimeve kapitale, edhe pse vendi ishte gjatë kësaj kohe në një izolim total”.

Për Skenderin, situata e zerove të shumta tregon një gjë: “Qeveria investimet kapitale nuk po i trajton fare”.

Rënia e investimeve kapitale – arsyeja politikat strategjike

Edhe, sipas njohësit të ekonomisë, Imer Raçi, investimet kapitale kanë shënuar rënie pasi nuk ka politikë strategjike të rregulluar në mënyrë të duhur.

“E metë e kësaj që ka shkaktuar ngecje ka ndodhë pasi që nuk është krijuar një tërësi e artikuluar mirë e prioriteteve të programeve dhe politikave strategjike që do të mund të rregullonte planifikimin dhe realizmin e investimeve kapitale edhe në kohë të rritjeve të çmimeve”, thotë ai për Albanian Post.

Raçi kritikon ekzekutivin, sepse, sipas tij, vetëm në bazë të këtyre investimeve mund të përfitojnë qytetarët.

“Projektet nuk duhet lënë anash për as edhe një arsye dhe duhet të vazhdojnë pasi që përfitues të drejtpërdrejtë janë qytetarët. Rritja e çmimeve ka krijuar rritje të të hyrave buxhetore e kjo duhet të orientohet tek projektet edhe nëse është rritur kosto”.

Raportit Financiar i Thesarit të Republikës së Kosovës i publikuar nga LDK.

Ndër të tjera, shton se mund të gjendet një zgjidhje edhe për shpenzimet publike por kjo veç përmes menaxhimit të mirë.

“Programi i shpenzimeve publike duhet të menaxhohet mirë dhe t’i mundësojë menaxherëve të buxhetit që të bartin mjetet nga projektet e ngecura të cilat nuk po gjejnë zhvillim në ato, zbatimi i të cilëve mund të shpejtohet”.

Raçi sqaron se, “rëndësia e projekteve kapitale qëndron në nevojën e qytetareve për zhvillim dhe planifikim të zhvillimit të tyre ekonomik dhe social”.

Një situatë jo të mirë ekonomike e ka paralajmëruar edhe Banka Qendrore e Kosovës.

Projeksionet e saj, të publikuara më 21 mars, kanë treguar se ekonomia e Kosovës, si pasojë e luftës në Ukrainë, do të pësojë ngadalësim të aktivitetit.

Sipas tyre, rritja ekonomike do të ngadalësohet në rreth 3.3 për qind këtë vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore