Lajme

Qeveria e Kosovës vendos regjim vizash për shtetasit e Rusisë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të premtes ka marrë vendim që të vendosë regjimin e vizave për shtetasit e Rusisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se shtetasit rusë me pasaportë të rregullt, zyrtare e diplomatike si dhe ata që kanë lejeqëndrimi biometrik të lëshuar nga shtetet e Schengenit do të obligohen të pajisen me vizë të Kosovës.

“Të gjithë shtetasit e Federatës ruse me pasaportë të rregullt apo diplomatike dhe ata që kanë lejeqëndrim biometrik valid të lëshuar nga shtetet e zonës Schengen do të duhet të pajisen me vizë për hyrje në Kosovë”, deklaroi kryeministri.

Ndërsa, zëvendësministrja e MPJD-së, Liza Gashi ka shtuar se propozimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, është në koherencë me vendimin e BE-së

“Për shtetasit e federatës ruse dhe obligimet e tyre për pajisje me vizë hyrëse në Republikën e Kosovës pa dallim. Ky propozim i MPJD-së është në raport me obligimet ndërkombëtare që Kosova ka marrë në koherencë me vendimin e fundit të BE-së për pezullimin e marrëveshjes për lehtësimin të marrjes së vizave Schengen për shtetasit rusë”, u shpreh ajo.

Gjithashtu, në këtë mbledhje është miratuar edhe projektligji i propozuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, që ka për qëllim rregullimin e masave mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore në Kosovë.

Ministrja Rozeta Hajdari theksoi se ky ligj do të zbatohet ndaj operatorëve ekonomikë që tregtojnë produkte bazë.

“Si rrjedhojë e gjithë kësaj, është bërë hartimi i Projektligjit për masa të përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Ky ligj zbatohet ndaj operatorëve ekonomikë që tregtojnë produkte themelore dhe ka për qëllim eliminimin e efekteve të rritjes së paarsyeshme të çmimeve në treg”, tha ajo.

Ajo shtoi se komisioni ndërministror ka analizuar çmimet dhe është vërtetuar se marzha tregtare te artikujt bazik nuk është e njëjtë.

“Komisioni ndërministror i formuar për këtë çështje ka bërë analizën e çmimeve themelore në treg, në bazë të këtij raporti është vërtetuar se marzha tregtare te artikujt bazik nuk është e njëjtë te të gjithë operatorët ekonomikë si dhe mungon baza ligjore që përcakton marzhën tregtare të çmimeve të artikujve”, tha ajo.

Ndërkaq, sqaroi edhe qëllimin e këtij projektligji.

“Arsyeshmëria për hartimin e projektligjit ka për qëllim të rregullojë masat mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta dhe destabilizimit në treg në pajtim me këtë ligj dhe mënyrë e votimit të tyre”.

Ky projektligji është miratuar me shumicë votash.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore