Lajme

Qeveria e Kosovës ra në grackën e Vuçiç-it


Flamujt e shteteve të QUINT-it

Pas deklaratës së përbashkët të shteteve të QUINT-it, të cilët janë shprehur të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës me mos-lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se ekzekutivi kosovar do të duhej të tregohej më i pjekur në këtë aspekt.

Sipas tyre, Qeveria e Kosovës me mos-lejimin e zgjedhjeve të përgjithshme të Serbisë në Kosovë ka rënë në grackën e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Për ligjëruesin e medias dhe konfliktit në Universitetin Adger, Abit Hoxha, Qeveria e Kosovës për të dëshmuar qasjen e saj pro-evropiane do të duhej të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të Serbisë në Kosovë.

“Qëllimi serb ka qenë që të ketë një reagim të shteteve të QUINT-it apo vështirësimi i pozitës së Kosovës karshi partnerëve ndërkombëtarë. Përqindja e votuesve serb në Kosovë për zgjedhjet në Serbi është aq e vogël sa nuk është aspak e rëndësishme për Serbinë, por aspekti politik është shumë i rëndësishëm. Natyrisht, shtetet e QUINT duhet të shprehin pakënaqësinë dhe qeveria e Kosovës është dashtë të jetë më e pjekur në këtë aspekt”, ka thënë Hoxha për Albanian Post.

Abit Hoxha

Edhe për profesorin universitar në Winchester, Seb Bytçi, ekzekutivi kosovar në këtë rast do të duhej të dëshmonte se mund të organizojë votimin e qytetarëve serbë në mënyra që nuk e cenojnë shtetësinë e Kosovës.

Por, Bytyçi mendon se strategjia e përmendjes së perspektivës evropiane në përgjithësi si metodë presioni ndaj Kosovës në deklaratën e përbashkët të shteteve të QUINT-it është e paqëndrueshme pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë me invazionin rus.

“Mendoj se kemi të bëjmë me një inerci të bashkësisë ndërkombëtare në raport me Kosovën dhe Serbinë, ku nuk po merren parasysh ndryshimet në politikën ndërkombëtare. Po injorohet fakti që aleati i Rusisë, Serbia po ndjekë politikë subversive ndaj fqinjëve të saj ku përmes organizimit të zgjedhjeve synon ta minojë shtetësinë e Kosovës dhe Malit të Zi”, ka thënë Bytyçi për AP.

Seb Bytyçi

E për profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Besfort Rrecaj, qasja e Kosovës, e cila në një anë kërkon nga vendet e BE-së dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të zbatojnë procedura të përshpejtuara për anëtarësim në NATO e union evropian, e në anën tjetër nuk bënë kompromise me po këto shtete për një çështje e cila është organizuar tashmë sa vite në Kosovë, nuk është e shëndetshme.

“Vendimet e Kosovës në kundërshtim me qëndrimet e vendeve të QUINT-it në situata kur qëndrimi i tyre ka të bëjë me krijimin e rrugëve të sigurta për një të ardhme më të mire euro-atlantike, mund të minojë të gjitha përpjekjet eventuale të Kosovës për të përshpejtuar procesin e integrimeve” ka thënë Rrecaj për AP.

Besfort Rrecaj

Ndryshe, këmbëngulja e Qeverisë së Kosovës, që për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe Qeveria e Serbisë t’i drejtohet me një kërkesë zyrtare, ka nxitur reagime.

Kështu shtetet e QUINT-it përmes një deklarate të përbashkët kanë potencuar se një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës “nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet e tyre dhe rrjedhimisht një gjë e tillë do të minojë aspiratat evropiane të Kosovës”.

“Ndonëse e vlerësojmë disponueshmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga shtetet e QUINT-it. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dështoi të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare”, shkruhej në deklaratën e përbashkët.

SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermani, Franca dhe Italia, ishin angazhuar intensivisht me qeverinë e Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit për të gjetur një zgjidhje pragmatike për t’u lejuar qytetarëve serb të Kosovës të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë më 3 prill 2022.

Në lidhje me këtë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të marten deklaroi se është munduar “me mish e me shpirt” për të arritur një marrëveshje me Serbinë për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, pa u cënuar kushtetutshmëria e vendit, por kjo nuk u arrit dot.

“Unë jam munduar me mish e me shpirt që të jem shumë aktiv në bisedime për marrëveshje. Por, nuk e kemi arritur. Tash jemi ku jemi, nuk kemi çfarë të bëjmë”, deklaroi ai në një intervistë për televizionin shtetëror të Kosovës.

Foto Armend Nimani (AFP) – Graçanicë, duke votuar për zgjedhjet parlamentare serbe të mbajtura më 2014

Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke komentuar këtë situatë, përveç akuzave ndaj Kryeministrit Kurti, fajin e ka hedhur edhe te vendet QUINT-ti, për çka tha se e kishin garantuar se Referendumi i 15 janarit ishte tjetër gjë nga mundësia për të mbajtur zgjedhjet serbe të 3 prillit në Kosovë.

“Perëndimi na ka thënë se referendumi ishte një gjë, sepse kishte të bënte me Kushtetutën, dhe se për zgjedhjet [çështja] ishte krejt ndryshe”, ka thënë Vuçiç në Pink Tv.

“Dje, shtetet e QUINT-it më thanë që kanë bërë më të mirën e tyre, por që dështuan ta bindin Albin Kurti. Gjithmonë thonë se kanë bërë më të mirën e tyre…këtë koment ironik e di, po nuk kam nevojë t’i bëjë lajka njerëzve dhe të them çfarë kam thënë në person. Por, kjo gjë nuk e ndërron situatën”, vazhdoi ai.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka mbledhur fletëvotimet e zgjedhjeve të mëparshme të Serbisë të organizuara në Kosovë që nga viti 2012, gjithmonë siç kanë thënë ata për AP “të mbështetur nga institucionet e Kosovës, përfshirë Policinë e Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore