Kosova

Qeveria e Kosovës ndanë 6 milionë euro për bizneset – shtesa për policët dhe punëtorët shëndetësorë


Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës ka ndarë 8,5 milionë euro për skemat sociale dhe pensionale për muajt prill, maj dhe qershor.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve ka thënë se përfituesit e skemave të ndihmës sociale do të përfitojnë një pagesë shtesë prej 30 për qind mbi shumën e rregullt që marrin ndërkaq për përfituesit e skemës pensionale do të aplikohet një shtesë mujore në mënyrë që pensioni bazë dhe shtesa të arrijnë shumën prej 100 euro në muaj për këta tre muaj.

Po ashtu ekzekutivi ka ndarë 6 milionë euro për subvencionimin e pagave dhe qirave të bizneseve të cilat me vendim të Qeverisë u mbyllën për dy javë, nga 7 deri më 18 prill.

Ndërkaq mbi 5 milionë euro për shtesa në paga për punëtorët shëndetësorë dhe zyrtarët policorë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se sipas këtij vendimi, mjekët dhe infermierët do të paguhen me nga 150 euro bruto shtesë për muajt prill dhe maj, stafi mbështetës teknik në institucione shëndetësore publike do të paguhen nga 100 euro bruto, ndërkaq edhe zyrtarëve policor do t’u ndahen nga 100 euro për muajt prill dhe maj.

“Për përfituesit nga skema e ndihmës sociale që do të përfitojnë një pagesë shtesë prej 30 për qind mbi shumën e rregullt që marrin bazuar në numrin e familjeve përfituesit të muajit përkatës. Do të jetë synim i ynë që një ndihmë e mirë të mundohet të mirëmbahet gjatë tërë vitit 2021″.

“Për përfituesit e skemës pensionale që marrin më pak se 100 euro në muaj do të aplikohet një shtesë mujore ashtu që pensioni bazë dhe shtesa të arrijnë shumën 100 euro në muaj. Arrihet që së paku deri në muajin qershor asnjë pension të mos jetë nën 100 muaj”, ka thënë Murati.

Në këtë mbledhje Shpëtim Dobra është emëruar kryesues i Bordit të Telekomit.

Anëtarët tjerë të këtij bordi janë Sajmije Thaçi, Mimoza Vila, Florina Jerliu, Agim Muçaj dhe Remzi Kelmendi.

“Të emëruarit do t’i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë në pajtim me ligjin për ndërmarrjet publike”, ka thënë Kurti.

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Kosovës emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paraqitur para kabinetit qeveritar 10 emrat e anëtarëve të rinj, për të cilët ka thënë se janë adekuatë për këto pozita.

Anëtarët që ka propozuar Ministrja Haxhiu janë: Albert Zogaj, Drita Rexhaj, Valbona Disha-Haxhosaj, Afrim Shala, Zenel Leku, Edije Sezahiri, Halibe Reka, Hajri Krasniqi, Hajriz Hoti dhe Nenad Laziq.

“Kjo përbërje është nga gjyqtarë, prokurorë dhe një avokat. Po ata ashtu janë ekspertë të drejtësisë. Duhet të kenë 12 vite përvojë pune në sistemin e drejtësisë për tu emëruar në këto pozita”, ka theksuar Haxhiu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore