Lajme

Qeveria e Kosovës: “Marrëveshja e Bratisllavës” po respektohet, çfarë po kërkon BE-ja më shumë?


Perparim Kryeziu

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një prononcim për Radio Televizionin 21, ka thënë se autoritetet kosovare janë duke i respektuar të gjithë hapat dhe afatet strikte të kërkuara nga Bashkimi Evropian për de-eskalimin e situatës në veriun e territorit të banuar me serbë etnikë.

Autoritetet kosovare janë në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e “masave ndëshkuese”, pas ujdisë së arritur në Bratisllavë të Sllovakisë dhe tërheqjes së 50 për qind të forcave speciale policore nё dhe rreth ndërtesave komunale në katër komunat veriore, por nga BE-ja kanë thënë se janë në pritje të hapave të mëtejshëm.

“Pra Kosova po respekton dakordimin me BE-në. Një pyetje me rendësi që duhet të ngritet është se çfarë ka bërë Serbia për de-eskalimin e situatës nga çka i është kërkuar fillimisht nga vetë BE. Kjo së bashku me pyetjen se çfarë po kërkon më shumë BE-ja nga Kosova, është më së miri t’i parashtrohet BE-së”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës aktualisht po përballet me “shkopinj të rëndë” për shkak të nxitimit të pakujdesshëm të zyrtarëve institucionalë dhe degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare, ndërsa situata nuk do të ndryshojë derisa autoritetet të ndërmarrin të gjithë hapat që janë kërkuar paraprakisht.

Për t’i dhënë fund krizës aktuale, nga BE-ja kanë specifikuar se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat veriore dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, pra me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në përputhje me deklaratën e 27 vendeve të BE-së me 3 qershor.

BE-ja i cilëson “hapa në drejtimin e duhur” zhvillimet në veri, por të “pamjaftueshëm” për heqjen e sanksioneve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore