Lajme

Qeset e plastikës, a duhet të hiqen nga përdorimi edhe në Kosovë?


Nga 1 qershori, në Shqipëri është marrë vendim ndalimi i përdorimit të qeseve plastike, por a duhet që një vendim i tillë të merret edhe në Kosovë?

Kjo pasi, qeset e plastikës, që shfrytëzohen për mbajtjen e produkteve ushqimore, hidhen më pas në çdo vend – në rrugë, në parqe, në lumenj.

Ndikimi kryesor i tyre në mjedis është se duhen shumë vite që ato të dekompozohen.

Ndërsa, kur qeset e plastikës shkatërrohen nën rrezet e diellit, në tokë lëshohen substanca toksike.

Luan Hasanaj nga Organizata “Ta pastrojmë Kosovën”, në një bisedë për Albanian Post shprehet se zgjedhja qëndron te qytetarët.

“Zgjedhja do të duhej të ishte që vetë qytetarët të i përdorin sa më pak të filloj një ndryshim i qasjes i secilit prej nesh pavarësisht që ofrohen me pagesë apo si ofrohen prej dyqaneve, ne do të duhej t’i përdornim sa më pak”, deklaron Hasanaj për AP.

Në Kosovë, kjo kulturë është formuar në premisa të gabuara.

“Një prej problemeve pothuajse kryesore është plastika sigurisht njëra prej tyre është edhe përdorimi shumë i madh i qeseve prej shumë qytetarëve, pra vazhdon me qenë një gjest i keq për të gjithë dhe të cilët kur dalin me ble do gjësende të nevojshme, shkojnë në markete, në tregje të ndryshme dhe atje pajisemi me qese, pra është kulturë në vend se të marrim një qantë”.

Zëvendësimi i qeseve të plastikes me qese të letrës.

Sipas Hasanaj, fushatat e mëdha ndihmojnë në raste të tilla.

“Ajo çfarë mund të ndihmoj momentalisht është që të iniciohet një fushatë e madhe që kishte me i iniciuar qytetarët për dëmin e madhe që shkakton qeset qoftë në mjedis, por edhe qoftë në shëndetin e vetë qytetarëve”.

Neglizhencë institucionet po tregojnë edhe në këtë drejtim.

Prandaj, Arben Lila nga Qendra për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), konsideron se si zgjedhje do të ishte që institucionet të angazhohen më shumë në këtë temë.

“Duhet të miratohet një ligj, ministria e mjedisit sa e di unë ka krijuar një grup punues në të cilin merr pjesë edhe shoqëria civile edhe ministria po marrin pjesë edhe bizneset”.

Ndërsa, bizneset të fillojnë të bëjnë zëvendësimin e qeseve të plastiket me të letrës.

“Duhet të transformohet që të gjitha bizneset që prodhojnë qese të plastike të fillojnë të prodhojnë qese nga tekstili ose supozojmë qese të letrës”.

Pas Shqipërisë, a duhet që edhe Kosova të ndaloj qeset e plastikës?

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, mendojnë se një vendim i tillë do të duhej të merrej edhe në Kosovë nga institucionet.

“Po absolutisht që është vendim i duhur mirëpo nuk e di sa është i zbatueshëm nëse krijohen disa parakushte, pra duke e njoftuar situatën edhe andej Shqipëria ka vite që ka filluar të ndërmerr veprime të cilat i reduktojnë qeset plastike, mirëpo asnjëherë nuk kanë gjete zbatim”, thotë Hasanaj.

Optimist për funksionimin e kësaj strategjie në Kosovë shprehet edhe Lila.

“Absolutisht do të funksiononte edhe në Kosovë dhe atë sa më parë aq më mirë kur funksion në Maqedoni tash e sa kohë në Shqipëri prej 1 qershorit edhe tek ne funksionon”.

Hedhja e qeseve plastike në një pjesë të Prishtinës.

Lidhur me këtë problematikë Albanian Post, ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), por që deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Nga ky dikaster, më herët ishte thënë se së shpejti “do të fillojë hulumtimin e gjendjes ekzistuese për qeset e plastikes”.

Përdorimi i qeseve të plastikes në botë

Nga korriku i vitit 2021, Bashkimi Evropian, kishte fuqizuar direktivën që ndalon plastikën për një përdorim.

Në këto produkte përfshihen: pjatat, gotat, shkopinjtë për pirje dhe ato qese që, sipas BE-së, shndërrohen në mikroplastikë dhe mbeten gjatë në mjedis.

Sipas vlerësimeve të BE-së, këto plastike përbëjnë rreth 70 për qind të mbeturinave detare në Evropë.

Qëllimi përfundimtar i BE-së është që deri në vitin 2030, çdo plastikë e mbetur të jetë e ripërdorshme ose e riciklueshme.

Në rajonin e Ballkanit, tregtarët në Shqipëri deri në vendimin e ndalimit të qeseve të plastikës, i kanë shitur ato.

Ilustrim.

Kroacia, nga janari i këtij viti, ka ndaluar përdorimin e qeseve të tilla, ndërsa Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina kanë paralajmëruar masë të tillë, por ende nuk është vendimtare.

Në Serbi, ndërkaq, disa qytete kanë ndaluar përdorimin e qeseve të plastikës, por vendim në nivel kombëtar nuk ka.

Disa vende evropiane kanë miratuar një tarifë për qeset plastike, duke marrë parasysh efektin negativ të qeseve plastike në prodhimin bujqësor.

Qeveria japoneze ka vendosur gjithashtu një tarifë për qese plastike për të kufizuar prodhimin dhe përdorimin e tyre.

Ndalimet për përdorimin e qeseve plastike dhe zhvillimi i alternativave janë një hap shumë i mirëpritur kur krahasohet me presionin mbi prodhimin dhe përdorimin e qeseve plastike nga njerëzit.

Edhe pse vendosja e një takse për qeset plastike ka një efekt pozitiv në mbrojtjen dhe ruajtjen e pjellorisë së tokës bujqësore, përdorimi i vazhdueshëm dhe dominues që rezulton i vetë qeseve plastike do të mohonte përfitimet ose avantazhet e taksës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore