Shqipëria

Nga 1 qershori (nuk) zhduken qeset plastike


Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, më 1 qershor 2022, Qeveria shqiptare ka zgjedhur “një dhuratë të veçantë” për brezat e ardhshme: të reduktojë mbetjet plastike në vend.

Kjo, pasi vendimi – pas zbatimit të të cilit pritet të marrë fund përdorimi i qeseve plastike – do të hyjë në fuqi sot.

Kështu, Qeveria ndalon prodhimin, importin dhe përdorimin e qeseve plastike mbajtëse, si dhe të qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme.

Sipas udhëzimeve të Institutit të Politikave Mjedisore, qeset plastike duhet të zëvendësohen me trasta, qese të formave të pranueshme ekologjike, apo qese kartoni.

Ky qëndrim përfundimtar është marrë, sepse në bazë të shifrave të shpërndara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, përgjatë 12 muajve, në Shqipëri përdoren rreth 3.2 miliardë qese plastike, ose përafërsisht 26 mijë ton në vit.

Më alarmant është fakti se e gjithë kjo mbetje e qeseve plastike përfundon tek ushqimet që konsumojmë dhe ajrin që thithim çdo ditë.

Substancat toksike lëshohen në tokë kur qeset plastike humbasin nën rrezet e diellit, apo në rastet e djegies ato përhapen në ajër, duke shkaktuar ndotjen e ajrit të ambientit.

Dyqanet dhe supermarketet

Përballë këtij vendimi të qeverisë, Gazi, pronar i një marketi lagjeje, thotë që akoma nuk e kanë lajmëruar se çfarë masash duhet të marrë.

“Nuk e di se çfarë do të bëhet, qeset e biodegradueshme janë të mira, por kushtojnë. Ekziston frika se, nëse i fus në dyqan, nuk do t’i blejë askush”, shpjegon ai për Albanian Post.

Për atë, problem mbetet shitja e fruta-perimeve, të cilat duhet të transportohen në qese nga konsumatori dhe se, pothuajse në çdo rast, ishte tregtari “që i pajiste me qese”.

Nga ana tjetër, Aurora, kasiere në një rrjet supermarketesh, për Albanian Post thotë se zëvendësimi i qeseve njëpërdorimshme me ato shumëpërdorimshme nga ana e supermarketit, është bërë disa kohë më parë, por përsëri konsumatorët vijnë pa qese, duke i riblerë ato.

Disa kanë sugjeruar zëvendësimin e qeseve plastike me ato të kartonit.

Mirëpo, edhe kjo “zgjidhje”, ravijëzon eksperti i mjedisit, Xhemal Mato, duhet të studiohet mirë.

“Përveçse kushtojnë më shumë”, thotë ai, “për të plotësuar nevojat e tregut duhen prerë më shumë dru. Gjë që sjell një tjetër problem ambientalist”.

Sakaq, Ministria e Mjedisit bën me dije se qeset e ndaluara janë ato që jepen kryesisht tek fruta-perimet, qeset aktuale të supermarketeve apo të ngjashmet e tyre.

“Çdo qese tjetër mbi 70 mikron, me kapacitet mbajtës mbi 10 kg dhe me përmasat fizike mbi kufirin e përmendur, konsiderohet qese shumëpërdorishme, përdorimi i të cilave nuk është i ndaluar”.

Për zbatimin e legjislacionit, Ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka hartuar projektvendimin “Mbi masat e hollësishme dhe institucionet përgjegjëse për ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit, apo futjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të qeseve plastike mbajtëse, si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme”.

“Përjashtohen nga zbatimi i këtij vendimi, qeset plastike mbajtëse dhe qeset plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo të oxo-biodegradueshme me trashësi për çdo anë, 70 dhe më të madhe se 70 mikron, me kapacitet mbajtës 10 dhe mbi 10 kilogramë, me përmasa jo më pak se 50 cm gjatësia dhe 24 cm gjerësia, pa përfshirë gjerësinë e palosjes”, përcakton projektvendimi.

Studimet e ndërkombëtarëve

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, më herët ka deklaruar se ndalimi i prodhimit, tregtimit dhe përdorimit të qeseve plastike është një ndër masat e para kundër plastikës.

Kjo, pasi më 2 shkurt 2022, agjencia për programe zhvillimore në vendet e huaja nga Qeveria gjermane, GIZ, paraqiti një sërë shqetësimesh që lidhen kryesisht me grumbullimin e mbetjeve plastike, si dhe implementimin e projekteve të tyre për të pasur një ambient më të pastër, i cili rrjedhimisht do të krijonte një mjedis më të volitshëm edhe për biznes.

Nën moton e mbrojtjes së mjedisit, nga GIZ, u paraqitën të dhëna mbi grumbullimet e mbetjeve plastike në vend.

Tabloja është vërtet dëshpëruese, pasi çdo vit, sipas të dhënave, rreth 11 mijë ton mbetje të plastikës, dergjen në dete.

Përafërsisht, kjo përkon me një proporcion prej 3 kilogramësh për person në vit.

Dëmet e vlerësuara, sipas studimit të projektit GIZ, arrijnë në mbi 200 milionë euro në vit.

Prej tyre, 200 milionë janë vetëm në sektorin e turizmit. Vetë ky sektor përfaqëson 1.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit.

Për këtë arsye, flitet në studim edhe për eliminimin e qeseve plastike nga qarkullimi. Kjo gjë do ta reduktonte ndotjen me plastikë për rreth 16%.

Pasojat nga mbetjet plastike

Mbetjet nga qeset plastike, përveçse rrezikut serioz mjedisor, ndikojnë edhe te shëndeti i njerëzve, por dhe kafshëve.

Për shkak të grumbullimit dhe përbërjeve kancerogjene, përdorimi i qeseve plastike mund të çojë në përhapjen e sëmundjeve të ndryshme.

Qeset e plastikës, të cilat hidhen pa kriter në deponi në mbarë botën dhe zënë tonelata hektarë tokë, lëshojnë gazra të rrezikshëm metan dhe dyoksid karboni, si dhe rrjedhje shumë toksike gjatë fazës së dekompozimit të tyre.

Shpesh kafshët i ngatërrojnë qeset me ushqim duke i konsumuar ato, çka çon në ngordhjen e tyre.

Për shembull disa breshka gjigante uji ishin mbytur, për shkak të gëlltitjes së gabuar të qeseve plastike të kombinuara me alga deti.

Plastika është identifikuar si një problem në mjedisin detar që nga vitet 1970, por çështja e ndotjes plastike në mjediset detare dhe të ujërave të ëmbla është identifikuar vetëm kohët e fundit si një problem global.

Si pasojë, ndotja e qeseve plastike detare është bërë një shqetësim mjedisor i rëndësishëm për qeveritë, shkencëtarët, institucionet joqeveritare dhe komunitetin ndërkombëtar.

Plastika është e gjithanshme në mjedisin detar dhe kjo tendencë përkeqësimi kërkon veprim urgjent.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore