Shqipëria

Putini shpërblen krijuesit e vaksinës Sputnik V


Në “Ditën e Rusisë”, që festohet çdo 12 qershor, përkujtohet shpallja e pavarësisë së Federatës Ruse pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Duke marrë shkas nga kjo ditë e shënuar, Presidenti rus, Vladimir Putin dha Çmimin Shtetëror 2020 për Shkencë dhe Teknologji krijuesve të vaksinës ruse, Sputnik V.

“Fuqia e shkencës ruse u zbulua qartë vitin e kaluar, kur njerëzit në të gjithë botën prisnin që shkencëtarët t’i shpëtonin nga pandemia e coronavirus-it. Dhe studiuesit tanë arritën të krijojnë vaksinën e sigurt dhe efektive Sputnik V në kohë rekord”, tha Putin gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve.

Putin dha çmimin për drejtorin e Qendrës Gamaleya për Epidemiologji dhe Mikrobiologji, Alexandr Guintsburg; nëndrejtorin shkencor, Denís Logunóf dhe kreun e Qendrës së Kërkimit të Mbrojtjes Radiokimike të Forcave të Armatosura Ruse, Sergei Borisevich.

Sipas Putin, ky është një triumf, që i lejoi Rusisë jo vetëm siguri dhe garanci brenda vendit, por edhe për vendet e tjera.

“Kjo është një përgjegjësi e vendit tonë përpara të gjithë botës si një nga fuqitë kryesore shkencore”, tha ai.

Sipas presidentit rus, zhvillimet e shkencëtarëve rusë “hapin rrugën për krijimin e vaksinave të tjera të shumëpritura kundër shumë sëmundjeve të rrezikshme virale”.

Marrë dhe Përshtatur nga Reuters për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore