Lajme

Putin po përgatit bunkerin në rast të një lufte bërthamore, thotë ish-shefi i inteligjencës ukrainase


Udhëheqja ruse mund të jetë duke përgatitur një qytet nëntokësor në lindje të vendit në rast të një lufte bërthamore.

Kjo është deklarata e ish-kreut të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Ukrainës dhe gjeneralit të ushtrisë ukrainase, Mykola Malomuzh.

Gjatë një interviste me “Obozrevatel”, gjenerali u shpreh se fluturimet qeveritare të bëra më 17 mars e dëshmojnë indirekt këtë.

“Në kohën e Bashkimit Sovjetik, kishte qendra kontrolli nëntokësore ku mund të jetonit të shkëputur nga pjesa tjetër për disa muaj”, tregon ai.

Sipas tij, Putin-i nuk ka gjasa të shtypë “butonin bërthamor”, por ai është i vetëdijshëm se lufta në Ukrainë mund të bëhet “detonatori i një konflikti global me NATO-n”.

Malomuzh shtoi më tej se rusët po kryejnë një auditim të plotë të objekteve nëntokësore, sistemeve të testimit për menaxhimin e vendit dhe trupave të fshehura thellë nën tokë.

“Nëse ka pasur vërtet fluturime të tilla, kjo do të thotë se këto objekte po përgatiten për përdorim praktik”, theksoi në vijim gjenerali i ushtrisë ukrainase.

Ai theksoi se bëhet fjalë për bunkerë të mbyllur nëntokë, disa dhjetëra metra të thellë, për të gjithë qytetin.

Ekzistojnë të gjitha sistemet e komunikimit, duke përfshirë komunikimet nëntokësore me rajonet e tjera dhe furnizimin me energji autonome të pavarur nga burimet e jashtme.

Sipas Malomuzh-it, atje mund të jetohet deri në një vit.

“Unë nuk mendoj se do të ketë një luftë bërthamore. Por nuk ka dyshim se Putin-i do ta mbajë të gjithë botën në zgrip”, përmbylli gjenerali.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore