Shqipëria

“Pushtimi” si alibi


Kur e provojnë britanikët, historia e njeh si kolonizim.

Kur shqiptarët e provojnë, etiketohen si “kriminelë” dhe “pushtues”.

Deklarata e zyrtares së brendshme britanike Suella Braverman nuk do ishte një puhizë e lehtë mbi “la Manche” deri në Evropën Juglindore.

“Nëse Laburistët do të ishin në krye, ata do të lejonin të gjithë kriminelët shqiptarë të vinin këtu, do të lejonin të gjitha varkat e vogla të vinin në Britaninë e Madhe, do të hapnin kufijtë tanë dhe do të minonin totalisht besimin e popullit britanik në kontrollin dhe sovranitetin tonë”.

Ky afirmim denigrues do “të ngrinte” menjëherë punën e mirë dhe të përbashkët mes të dy vendeve në drejtim të këtij fenomeni.

Një ditë më pas do të vinte reagimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili akuzoi qeverinë britanike për përdorimin e qytetarëve shqiptarë si “koka turku” për politikat e dështuara të imigracionit.

Edi Rama shkroi se Britania e Madhe po synonte në mënyrë të rreme shqiptarët “si shkaku i krimit të Britanisë dhe problemeve kufitare”.

Në një seri postimesh në Twitter, ai i bëri thirrje Mbretërisë së Bashkuar që “të luftojë bandat e krimit të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin [kundër] shqiptarëve”.

Telashe në horizont

Ndërhyrja e tij mund të sjellë telashe për qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, shkruan “The Guardian”, e cila po përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me Shqipërinë.

Kjo, ndërsa kërkon të kthejë mijëra njerëz që kanë mbërritur së fundmi me varka të vogla.

Rama sugjeroi se retorika e zyrtarëve britanikë që përshkruanin shqiptarët si kriminelë dhe gangsterë kishte dëmtuar shanset për të arritur një marrëveshje më të ngushtë mbi krimin dhe emigracionin midis dy vendeve.

Shqipëria ishte “gati të punonte më afër me Britaninë e Madhe, por faktet janë vendimtare”, tha ai. “Po ashtu edhe respekti i ndërsjellë”.

Vërejtjet e tij ishin një goditje për shpresat e kryeministrit britanik Rishi Sunak për një marrëveshje me Shqipërinë mbi deportimin e emigrantëve shqiptarë.

“The Times” zbuloi të mërkurën se ministrat (shqiptarë dhe britanikë) ishin të bindur për një dakordësi mes palëve mbi kthimin e shpejtë brenda javëve të ardhshme.

Gjenerallejtënant Stuart Skeates u takua me zyrtarë shqiptarë në rolin e tij si koordinator i posaçëm për migracionin e paligjshëm shqiptar për të diskutuar për përshpejtimin e largimeve.

Zhgënjimi kryesor i Tiranës zyrtare është dështimi i qeverisë britanike për të zbatuar një marrëveshje për dëbimet e shpejta të shqiptarëve që mbërrijnë ilegalisht në MB nëpërmjet një vendi të tretë të sigurt.

Rwanda asylum plan: who does it target and is it going to happen? | Immigration and asylum | The Guardian

Alibi

Lidhur me këtë të fundit, sekretarja e Brendshme britanike foli gjithashtu për pushtimet dhe “ëndrrat” e deportimit të azilkërkuesve në Ruandë.

Konservatorët po miratojnë një libër të njohur politik që angazhon votuesit e tyre ndërkohë që hedhin fajin për dështimet e tyre.

Kështu shkruan “Financial Times” lidhur me situatën në të cilët gjendet “Home Office” britanik.

Sipas gazetës londineze, Mbretëria e Bashkuar e ka parë haraçin politik të injorimit të pikëpamjeve të publikut për imigracionin.

Në thelb, asnjë qeveri nuk mund të injorojë 40 mijë njerëz në vit që mbërrijnë ilegalisht me anije të kryqëzuara në Kanal.

Këtu përfshihen deri në 10 mijë burra me origjinë shqiptare, shumë prej të cilëve kërkojnë azil si viktima të skllavërisë moderne.

Por kjo situatë për FT-në, është edhe një formë e “alibisë konservatoriste”.

Votuesve britanikë u paraqiten qëndrime “fiksuese” të titujve, të dizajnuara për të treguar se ministrat ndajnë vlerat e tyre.

Suella Braverman Quits Liz Truss Cabinet: 5 Points About Indian-Origin Barrister

Kush e ndezi situatën

Shqetësimet për njerëzit që vinin në Mbretërinë e Bashkuar nga Shqipëria u rritën javën e kaluar.

Kjo, pas një paralajmërimi të lëshuar nga Dan O’Mahoney, komandanti i “Channel Office” të “Home Office”.

Zyrtari britanik pretendoi se kishte pasur një rritje “eksponenciale” të shqiptarëve që mbërrinin me varka të vogla.

Bandat kriminale shqiptare, sipas tij, kishin një “këmbë” në Francën veriore dhe po lehtësonin kalimet.

Ai tha se numri i shqiptarëve që kaluan në Britaninë e Madhe këtë vit ishte “midis 1 dhe 2 për qind e të gjithë popullsisë mashkullore të Shqipërisë”.

Kjo shifër është kontestuar nga autoritetet shqiptare.

Rama shkroi në Twitter se “synimi i shqiptarëve si shkaku i krimit të Britanisë dhe problemeve kufitare e bën retorikën e lehtë, por injoron faktin e vështirë. Të përsërisësh të njëjtat gjëra dhe të presësh rezultate të ndryshme është çmenduri (pyet Einstein-in!)”.

The surprising truth about Albanians in Britain

Sipas tij, 70 për qind e 140 mijë shqiptarëve që janë shpërngulur në Britaninë e Madhe jetonin në Itali dhe Greqi dhe 1 mijë e 200 prej tyre janë biznesmenë.

Por Braverman, kritikoi gjithashtu azilkërkuesit shqiptarë në konferencën e partisë Konservatore muajin e kaluar.

“Shumë prej tyre pretendojnë se janë trafikuar si skllevër modernë… e vërteta është se shumë prej tyre nuk janë skllevër modernë dhe pretendimet e tyre se janë trafikuar janë gënjeshtra”, deklaronte ajo.

Reagime

Shqiptarët që jetojnë në Britani thonë se janë demonizuar nga sekretarja e Brendshme britanike.

Lea Ypi, profesoresha shqiptare në London School of Economics, deklaroi për “The Guardian” se anëtarët e diasporës ishin “jashtëzakonisht të shqetësuar” nga komentet e ministrave, përfshirë Braverman.

“Ka pasur një kok turku të emigrantëve nga ministrat dhe shqiptarët rrezikojnë të jenë në shënjestër”, tha Ypi. “Vetë termi ‘pushtim’ po përdoret nga sekretarja e Brendshme. Është gjuhë nxitëse dhe po përdoret kundër një komuniteti të caktuar”.

Sipas mendimtares shqiptare, kur vendos diçka të tillë në sferën publike, ajo monopolizon vëmendjen dhe i bën njerëzit të paaftë të zhvillojnë një bisedë për një komb të tërë që nuk i sheh ata apo njerëzit e tyre si burim rreziku.

“Ajo veçon një grup minoriteti, i cili është shumë mirë i integruar në Britani dhe na ka bërë objekt ksenofobie. Qytetarët bëhen shënjestër. Është një diskurs i fajësimit të emigrantëve për problemet që janë problemet e qeverisë”, shtoi profesoresha.

Lea Ypi: 'Hope is a moral duty' | Autobiography and memoir | The Guardian

Situata në shifra

Rreth 140 mijë persona me origjinë shqiptare janë vendosur në Britaninë e Madhe.

Rreth 90 mijë erdhën në Mbretërinë e Bashkuar midis viteve 2008 dhe 2013 dhe dhjetëra mijëra erdhën në Britani midis viteve 1991 dhe 2008.

Ka rreth 1 mijë e 300 biznese të drejtuara nga shqiptarët në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Shumica e të cilave gjenden në Londër dhe 58 akademi që drejtojnë kurse të gjuhës shqipe për fëmijët e shqiptarëve që jetojnë në Britani.

Komuniteti shqiptar i ka vendosur rrënjët prej kohësh në Britaninë e Madhe dhe ‘kolonia’ shqiptare atje është rritur.

Të dhënat e fundit statistikore në Britani, duke përfshirë vetëm Anglinë dhe Uellsin, tregojnë se mamatë dhe baballarët e rinj në ishull, të cilët e kanë vendin e lindjes dhe origjinës në Shqipëri, hyjnë tashmë edhe në 10-shen më “pjellore” të kombësive të huaja.

Në terma konkretë, sa i përket mamave, ato shqiptare renditen në vend të 10-ë për të huajt, duke përllogaritur diçka më shumë se 3 mijë e 200 lindje në vit.

Nga ana tjetër, meshkujt shqiptarë renditen në vend të tetë për nga baballarët e huaj, me mbi 3 mijë e 500 lindje në vit, prej personave me vendlindje Shqipërinë.

Me këtë perspektivë ku i dihet, një ditë Britania mund të drejtohet nga një “pushtues” ose “kriminel”. Kush tha që do jetë shqiptar?!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore