Lajme

Pushteti s’i voton mocionet për minatorët dhe NJSI-në, opozita lëshon sallën


Kuvendi i Kosovës.

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, kanë paraqitur mocionet për të diskutuar rreth çështjes së grevës së minatorëve që po vazhdon tash e 10 ditë, e po ashtu edhe për Policinë e Kosovës që protestoi të hënën duke kërkuar rritje të shtesave për rrezikshmërinë, por që asnjëri mocion nuk kaloi.

Për grevën e minatorëve votuan vetëm 86 deputetë, nuk kanë votuar të gjithë nga 93 sa ishin.

“33 e përkrahën mocionin, 36 e kundërshtuar dhe 7 deputetë abstenuan, s’kalon mocioni”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ngjashëm ndodhi edhe me mocionin për Policinë e Kosovës,

“Nga 94 deputetë, votuan vetëm 84. 10 deputetë nuk morën fare në votim, 34 e mbështetën mocionin e Tahirit, 50 abstenuan, kundër asnjë”, u shpreh Konjufca.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Shefi i grupit parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se është urgjente që të diskutohet për të dyja çështjet.

“Sa i përket mocionit të propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ne e mbështesim si grup parlamentar, më herët e kishim propozuar edhe një mocion që ka pasur të bëjë edhe me çështjen e sigurimeve shëndetësore dhe shtesat për Policinë”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa për grevën e Trepçës ka pohuar se s’kanë dashur të diskutojnë në Kuvend më herët për shkak të politizimit të kësaj çështje.

“Si grup parlamentar jemi dakorduar ditën e hënën në mbledhjen e kryesisë me një rezolutë e cila i përkrah minatorët e Trepçës. Tash e 10 ditë minatorët e Trepçës janë në grevë dhe ne për 10 ditë asnjëherë s’kemi dashur që ta sjellim në Kuvend që ta politizojmë këtë çështje sepse i kemi dhënë kohë Qeverisë që ta zgjidh këtë çështje dhe minatorët të dalin nga greva”.

“Ne kemi pasur një takim me minatorët, andaj sot ne kërkojmë që si pikë e parë të hyjë mbështetjen e kërkesave të minatorëve të Trepçës”.

Shefi i grupit parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi ka thënë se është “absurde”, sjellja e pushtetit ndaj Policisë së Kosovës dhe minatorëve të Trepçës.

“Grupi parlamentar i LDK-së, konsideron se në mënyrë urgjente duhet të trajtohet çështja e minatorëve të Trepçës dhe Policisë së Kosovës”.

“Mendojmë se është me rëndësi që Kuvendi ta shqyrtoj një rezolutë e cila i kërkon Qeverisë që kërkesat e tyre të plotësohen, sepse kërkesat e tyre janë minimaliste. Çka kërkojmë nga ju është që pagat e tyre në fund të muajit do të jenë në llogari, është e palogjikshme dhe e paarsyeshme që minatorët të futen në zgafelle për javë të tëra për shkak se kërkojnë pagat e tyre”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, paraqiti rezolutën edhe për Policinë e Kosovës.

“AAK-ja e konsideron të rëndësishme një seancë ku diskutohet për minatorët. Po ashtu është shumë me rëndësi që të diskutohet me urgjencë edhe çështja e Policëve të Kosovës, ku e kemi pasur një protestë dje të FIT-it dhe sot e kemi edhe një tjetër. Në rast se vazhdon ky zingjir atëherë është duke devalvuar vendi”.

Shefi i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Ndërsa shefja e grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka pohuar se kanë diskutuar, me minatorët dhe për disa çështje që janë dakorduar me ta.

“Më 31 tetor në mbledhjen e rregullt të Komisionit për Ekonomi, kemi ftuar anëtarët e sindikatës të vinë dhe të diskutojnë së bashku lidhur me kërkesat e tyre”.

“Kemi diskutuar katër orë të tëra, ajo që na jemi dakorduar në atë takim është që çështja e kryeshefit të trajtohet me urgjencë, që të merret obligimi nga ministria përkatëse nga ministria e Ekonomisë, të ekzekutohen me llogari çdo muaj më së largu me datën 10 dhe të punohet intensivisht për kushtet e punës”.

Sipas saj, përmirësimi i kushteve dëshiron kohë për shkak të zbatimit, gjegjësisht investimeve.

Minatorët e Trepçës, po kërkojnë plotësimin e tri kërkesave e para është shkarkimi i kryeshefit të bordit, e dyta të krijohen kushte më të mira të punës dhe e treta të dalin pagat me kohë.

Ndërsa, Njësia Speciale/FIT, para Qeverisë të mërkurën protestoi për rritje të shtesave për rrezikshmërinë pasi që në listën ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti propozoi shtesat nga 150 euro.

Mashtrimi brutal i Kryenumëratores së Kosovës

250 punëtorë kërkuan tretman mjekësor në grevë, “pushteti kundërshtoi plotësimin e kërkesave për minatorët”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore