Lajme

250 punëtorë kërkuan tretman mjekësor në grevë, “pushteti kundërshtoi plotësimin e kërkesave për minatorët”


Foto: Albanian Post.

Afër 300 persona që nga 24 tetori në kombinatin metalurgjik Trepça – i cili gjendet në jug dhe në Veri të Mitrovicës, po qëndrojnë në thellësi të kësaj miniere duke kërkuar plotësimin e tri kërkesave, përmirësimin e kushteve, t’u dalin pagat me kohë si dhe të shkarkohet menaxhmenti.

Me uniformë të vjetruar, çizme të baltosura e helmetë të zymtuar minatorët punojnë tash e sa vjet në këtë minierë.

Kërkesë e tyre ka qenë vazhdimisht përmirësimi i kushteve, por që asnjëherë s’u dëgjuan nga pushteti.

Kjo ka dërguar në greva të njëpasnjëshme, por kjo e fundit rezultoi edhe me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të rreth 250 punëtorëve.

Një takim i mbajtur mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pozitë e opozitë, të martën, me sindikatën e Trepçës nuk çoi në ndonjë rezultat që kjo grevë të ndalohet.

Nga opozita në një bisedë për Albanian Post u tha se pushteti refuzoi që kërkesat për minatorët të plotësohen.

Ky takim u përcjell edhe me rrëfim të përlotur të njërit prej minatorëve, duke kërkuar që të lihet politika anash dhe të bashkohen për Trepçën.

“Ju kisha lutur, jam shumë i emocionuar, shpëtojani jetën minatorëve. Bëhuni një grup krejt partitë, leni inatet mes vete, ejani sa më shpejt se minutat janë në pyetje”, tha minatori Sami Peci.

“Mazhoranca kundërshtoi plotësimin e kërkesave për minatorët”

Ish menaxheri i kësaj ndërmarrje njëherësh edhe deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, në një bisedë për Albanian Post deklaroi se ishte pushteti ai që nuk u pajtua me kërkesat e minatorëve.

“Ministrja Artane Rizvanolli, nuk raportoi në komision për grevën që është tash e tetë ditë. Plotësimi i kërkesave të tyre u kërkua edhe nga partitë parlamentare opozitare dhe i mbështetëm fuqishëm, por që mazhoranca sërish nuk pati guxim në vendimmarrje që t’i përkrah ato”, pohoi Shala për AP.

Ai theksoi se janë në pritje që Qeveria të reagojë për plotësimin e kërkesave.

“Ne kërkuam që sa më shpejt Qeveria t’i plotësojë këto kërkesa, në këtë relacion ne jemi në pritje të vendimmarrjes së Qeverisë që të plotësohen kërkesat e minatorëve sa më shpejt”.

Takimi mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe Sindikatës së Trepçës.

Sipas tij, kërkesat që po vijnë nga Trepça kanë qenë gjithmonë të nevojshme, por që aktualisht janë urgjente që të plotësohen para se të përfundojë greva me fatalitet.

“Nuk do të dëshiroja të paramendoja situata të tilla ku dikush mund ta humbas jetën në grevë”.

“Kërkesat janë jashtëzakonisht konkrete, sociale, të nevojshme që të plotësohen. Por, është e pakuptueshme, e paqartë dhe johumane sjellja e Qeverisë”.

“Mbi 200 minatorë kërkuan tretman mjekësorë”

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të ndërmarrjes “Trepça”, Ibrahim Januzi pas takimit me deputetët ka thënë për AP se numri i minatorëve që kanë kërkuar tretman mjekësor e kalon shifrën 200.

“Mbi 250 minatorë kanë kërkuar tretman mjekësorë, pasi që gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar. Greva e minatorëve, përfundon vetëm me përmbushjen e kërkesave të minatorëve”, deklaroi Januzi për AP.

Ai është optimist se do të bëhet një zgjidhje pas këtij takimi.

“Ne ishim në takim me grupet parlamentare dhe mbetëm në pritje të një zgjidhje. Ata na thanë që do të qëndrojnë në mbledhje të mbyllur për të dalur me një zgjedhje”.

Teksa, ka deklaruar se janë duke i përcjellur të gjitha kërkesat e minatorëve tek institucionet adekuate.

“Nuk ka diçka konkrete ose përfundimtare se a do të plotësohen të gjitha kushtet për minatorët. Ne si sindikatë kemi vepruar si ndërmjetësues ndërmjet Qeverisë dhe minierës, nuk jemi organizatorë të zgjedhjeve. Çkado që marrin masa minatorët ne i përcjellim në media, në Qeveri dhe në shoqëri”.

Minatorët e Trepçës.

“Ajri është shumë i vështirë në minierë”

Fehmi Hajredini, i punësuar për 40 vjet në këtë ndërmarrje, në një bisedë për Albanian Post thotë se ashensorët në këtë ndërmarrje nuk janë ndërruar qysh nga paslufta.

Madje, as nuk kontrollohen për funksionimin e tyre në mënyrë të duhur.

“Ashensorët ku bëhet edhe bartja e xehes dhe këto të objektit elektronik, janë shumë të vjetra. Ashensorët janë ndërruar vetëm një herë pas luftës vetëm pjesa e koshave, litarët i kanë ndërruar tri herë ose katër. Rrjeti elektronik edhe kabllot janë shumë të vjetra”, thotë Hajredini për Albanian Post.

Gjatë kohës sa janë brenda minierës ka vështirësi edhe për frymëmarrje.

“Këtu janë kushtet shumë të vështira, fillimisht ajri, pastaj makineria, kamionët që i kemi ato bëjnë shumë ndotjen e ajrit, tani që në punishte dobësohet ajri është shumë vështirë të punosh me ato makina, do të thotë janë shkatërruar makineritë”.

Për gjërat elementare që duhet t’i ketë një minator, Hajredini ka ankesa të mëdha.

Minatorët e Trepçës.

Në bazë të obligimeve ligjore ato do të duhej të ndërroheshin shumë më shpesh.

“Që nga muaji nëntor nuk kemi marrë dorëza, dorëzat janë të obliguar që të ndërrohen të paktën çdo dy javë, ndërsa që katër muaj ne nuk kemi marrë, gjëja më elementare që është për punëtorët dorëzat mbrojtëse, këpucët ose çizmet që i kemi ne që duhet t’i përdorim as ato nuk ndërrohen shpesh”.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore