Lajme

Pupovci i bindur se mësimi fillon më 1 shtator


Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, është i bindur se procesi mësimor do të filloj në të gjitha shkollat me 1 shtator pavarësisht grevës që ka filluar nga mësimdhënësit të cilët po kërkojnë rritje të pagës prej 100 eurosh.

Madje, Pupovci vlerësoi se veprimet që ndërprenë mësimin nuk kanë arsyetim.

“Veprimet për ndërprerjen e procesit mësimor nuk kanë arsyetim. Natyrisht, sindikata gëzon të drejtën e garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenojë edhe të drejtat e nxënësve për shkollim. Këto dy çështje duhet të balancohen dhe sigurisht të gjenden forma të tjera të shprehjes së pakënaqësisë, përveç të pengimit të procesit mësimor”.

Ndërkaq, bëri të ditur që projektligji i ri i pagave ka trajtuar mësimdhënësit me kujdes të shtuar.

“Në Projektligjin e ri të pagave, mësimdhënësit me të vërtetë janë trajtuar me kujdes të veçantë, që ne edhe para-draftit që ka dalë në shkurtin e këtij viti e kemi diskutuar me Sindikatën dhe kemi bërë disa modifikime në të. Pastaj, ia kemi dërguar Ministrisë së Administratës Publike dhe tani kur doli ky drafti zyrtar, po e shohim se ato vërejtje janë marrë parasysh”.

Sipas tij, ka përmirësim të pagës në këtë sektor në krahasim me vitet e kaluara.

“Nëse e shihni në raport me atë Ligjin e kaluar, të cilin e pat anuluar Gjykata Kushtetuese, ne kemi faktikisht ngritje të koeficienteve për të gjitha kategoritë e mësimdhënësve dhe përmirësim të atyre përpjesëtimeve në mes të pagës së një mësimdhënësi dhe pagës më të madhe në Kosovë, që ka qenë një problem me rastin e Projektligjit të kaluar, dhe kjo vlen edhe për stafin tjetër të shkollave”, tha ai në Radio Televizionin e Kosovës.

Foto: Albanian Post.

Ndryshe, nga e enjtja e 25 gushtit punëtorët e sektorit publik kanë hyrë në grevë të përgjithshme dhe për këtë arsyeje të njëjtit po kërcënohen se nuk do të paguhen për orët e humbura të punës.

Bazuar në dokumentin që Ministria e Financave ia ka dërguar grevistëve thuhet se zyrtarët që i janë bashkuar grevës pezullohen nga e drejta për pagesë dhe detyrimi i bindjes për të punuar.

“Pra, kjo i bie që edhe nëse për një orë një zyrtar është në grevë, për një orë nuk ka përgjegjësi për të punuar dhe nuk paguhet”, thuhet në dokument.

Rreth këtij vendimi ka pasur reagime të shumta.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, vendimin e Qeverisë së Kosovës, e ka cilësuar si skandaloze i cili nuk i nganë aspak të një vendimi të një shteti demokratik.

Ajo madje ka kujtuar kohën kur Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë, dhe mbështete hapur sindikatat dhe nevojën e tyre për grevat.

Në anën tjetër deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka theksuar faktin se Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet duke premtuar zgjidhje për secilin problem në nivel lokal, në nivel qendror e në nivel ndërkombëtar.

“Tash, në vend të zgjidhjeve, Qeveria ka zgjedhur konfrontimi me sindikatat si rrugë e vetme. Kjo rrugë është e gabuar pasi pasojat do t’i bartin të gjithë e jo veç partia në pushtet dhe kryeministri Kurti. Edhe ideja për t’i ndëshkuar sindikalistët grevistë është vepër penale dhe nuk mund të realizohet në një shtet demokratik siç është Kosova”, ka shkruar Barjami në rrjetin e saj social në Facebook.

Lidhur me këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht ministrisë së Financave ka reaguar edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të cilët kanë thënë se kërcënimi i grevistëve është akt i paligjshëm dhe aspak i mire.

Ata madje kanë bërë të ditur se përkundër kërcënimit nga Qeveria, të njëjtit do të vazhdojnë grevën e tyre të përgjithshme.

“Zgjidhja e duhur është përmbushja e kërkesave të të punësuarve”.

Në grevë për rritje page, mbesin pa pagë fare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore