Lajme

Punonjësit e KEK-ut protestojnë sërish për ngritjen e pagave


Foto: Albanian Post.

Një protestë tjetër sërish është paralajmëruar nga sindikata e Korporatës së Energjisë së Kosovës (KEK) më 22 dhjetor, pas dështimit të marrëveshjes mbi ngritjen e pagave për punëtorët.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media të publikuar nga sindikata e KEK-ut.

“Edhe pas pritjeve dhe përpjekjeve tona intensive për të arritur një marrëveshje lidhur me ngritjen e pagave, me keqardhje duhet të njoftojmë se ende nuk kemi arritur në një konsensus të plotë me menaxhmentin e KEK-ut në këtë çështje”.

Sipas tyre, premtimet nuk kanë sjellur në rezultate për plotësimin e kërkesave të tyre pas protestave të mëhershme që ishin mbajtur.

“Premtimet dhe dialogu i deritanishëm nuk kanë sjellë një rezultat konkret që plotëson kërkesat tona. Kemi vendosur që protesta jonë e paraparë për datën 7 nëntor, do të zhvillohet më 22 dhjetor 2023 duke filluar nga ora 11:00 para zyrave të KEK-ut. Ky vendim vjen pas vlerësimit të kujdesshëm të zhvillimeve dhe përvojave tona të fundit”, thuhet më tej në komunikatë.

Sindikata e KEK-ut ka theksuar se ngritja e pagave është e domosdoshme për mirëqenien dhe drejtësinë e punëtorëve, dhe paralajmëron hapa të tjerë sindikalë nëse nuk ka përmirësime konkrete në këtë drejtim.

Edhe më 22 shtator, Shoqata Sindikale e Sigurimit Fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), kishte protestuar për plotësimin e kërkesave të tyre ku gjatë protestës kishin tentuar që të futen me forcë në objektin e kompanisë.

Kjo kishte dërguar në përleshje me Policinë e Kosovës, të cilët kishin bërë përpjekje që të mos i lejojnë që të hyjnë brenda objektit.

Një protestë e ngjashme nga punonjësit e KEK-ut ishte mbajtur edhe më 28 gusht.

Kosova gjatë këtij viti është përballur edhe me çmime shumë të larta të energjisë.

Së fundmi çmimi ishte rritur për 14 për qind.

KEDS-i e ka justifikuar kërkesën për rritje të tarifave të energjisë elektrike me rritjen e çmimit të rrymës së importuar, si dhe me pamundësinë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të prodhuar rrymë të nevojshme, sidomos gjatë sezonit të dimrit.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1 mijë e 300 megavate në orë.

Këtë diferencë, ajo e importon nga jashtë.

Nga muaji shtator i vitit 2022, Qeveria e Kosovës, i ka subvencionuar të gjithë qytetarët që shpenzojnë më pak energji elektrike.

Kurse nga ekzekutivi ishte bërë thirrje që nga viti 2022 ndaj qytetarëve që ta kursejnë rrymën, për shkak të krizës globale energjetike, të cilën e ka thelluar lufta e Rusisë në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore