Lajme

Protestë para KEK-ut, punëtorët përleshen me Policinë


Protestuesit e KEK-ut përleshen me Policinë e Kosovës.

Shoqata Sindikale e Sigurimit Fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), gjatë protestës të premten ka tentuar që të futet me forcë në objektin e kompanisë.

Kjo ka dërguar në përleshje me Policinë e Kosovës, të cilët kanë bërë përpjekje që të mos i lejojnë që të hyjnë brenda objektit.

Protestuesit kanë mbajtur me vete disa pankarta ku thuhej “Dje u tenderuam jashtëligjshëm edhe sot vazhdon avazi i vjetër”, “Qeveri më parë kur ishit në opozitë na thatë se kemi të drejtë, po sot?”, “Tenderi e pasuron vetëm një pronar, ndërsa ne jemi një shoqëri e cila i takon KEK-ut”.

Protesta ka nisur rreth orës 09:00,

Kjo nuk është protesta e parë që punëtorët e KEK-ut e kanë mbajtur. Një të ngjashme e kishin pasur edhe më 28 gusht.

Korporata Energjetike e Kosovës është një ndër ndërmarrjet kryesore energjetike në vend.

Asetet e korporatës janë nën pronësi të plotë të Qeverisë së Kosovës.

Që nga viti 2018 asnjë punëtor i KEK-ut nuk ka pasur ngritje të pagës, pavarësisht që performanca e KEK-ut ka qenë mjaft e mirë dhe nga menaxhmenti është deklaruar se kanë pasur mbi 100 milionë euro fitim.

Kosova gjatë këtij viti është përballur edhe me çmime shumë të larta të energjisë.

Së fundmi çmimi është rritur për 14 për qind.

KEDS-i e ka justifikuar kërkesën për rritje të tarifave të energjisë elektrike me rritjen e çmimit të rrymës së importuar, si dhe me pamundësinë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të prodhuar rrymë të nevojshme, sidomos gjatë sezonit të dimrit.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1 mijë e 300 megavate në orë.

Këtë diferencë, ajo e importon nga jashtë.

Nga muaji shtator i vitit 2022, Qeveria e Kosovës, i ka subvencionuar të gjithë qytetarët që shpenzojnë më pak energji elektrike.

Kurse nga ekzekutivi ishte bërë thirrje që nga viti 2022 ndaj qytetarëve që ta kursejnë rrymën, për shkak të krizës globale energjetike, të cilën e ka thelluar lufta e Rusisë në Ukrainë.

“Menaxhmenti i KEK-ut i ka rreth 107 milionë euro fitim në 2022, ndërsa s’ka ngritje të pagave për punëtorët që nga viti 2018” – protesta që mund të dërgojë në grevë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore