Lajme

Punëtorët e “Rilindjes” paralajmërojnë padi ndaj Qeverisë dhe Komunës


Gazetarët e “Rilindjes”.

Dhjetëra punëtorë të gazetës së parë shqipe në Kosovë “Rilindja”, kanë protestuar të martën para lokaleve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për përshpejtimin e pagesës së 20 përqindëshit.

Premtimi se do të përfundojë pagesa e tyre gjatë vitit të kaluar, nuk ka ndodhur.

Drejtori i gazetës, Zeqir Bekolli, u shpreh se ata do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre, duke paralajmëruar padi ndaj institucioneve.

“Kjo protestë është në shenjë zemërimi për zhegitjen e 20 përqindëshit për punonjësit tanë. Goditje këtij kolektivi i kanë dhënë edhe hajdutët e kolektivit të lidhur me politikën e kohës. Kurse lënda për të bëmat e tyre e dorëzuar në Agjencinë për Vajtimin e Korrupsionit dhe në Policinë e Kosovës nuk dihet se ku ka përfunduar”.

“Pasuria e Rilindjes në Zvicër e Gjermani është zhdukur ndërsa ajo në Tiranë është uzurpuar e pajisjet tona janë shitur”, tha Bekolli.

Thirrja e ish gazetarëve të “Rilindjes”, ishte që t’u japin fund diskriminimit disa vjecarë ndaj tyre.

“Krejt çka ka mbetur këtu në Prishtinë është pallati dhe 5.5 hektarë tokë të cilat i mori Qeveria. Procesi ka shkuar tepër ngadalë ndërsa kulmin e ka arritur vitin e kaluar. Qeveria në prag të Vitit të Ri i ka derdhur mjetet për 20% në AKP, dhe u zotua se pagesa do të bëhet me tre rata, por kjo nuk ka ndodhur. Bordit të AKP-së dhe  qeverisë i drejtohemi që ta kryejë obligimin dhe t’i japin fund diskriminimit disavjeçarë qe iu bë punëtorëve të kësaj ndërmarrje”, tha tutje ai.

Ngjashëm si drejtori i gazetës mendon edhe ish-shefi i shitjes në këtë shtëpi botuese, Abdullah Zeneli.

“Qeverisë duhet t’i bëhet me dije se po i hyn në hak një segmenti të rëndësishëm të kulturës. Nëse ka veteranë të luftës, ka edhe veteranë të gazetarisë, qe kanë kontribuar për lirinë. I kemi ruajtur librat nga serbët, por nuk mundem me i ruajt nga Qeveria jonë”, tha ai.

Ndërsa, për ish-zevendëskryeredaktorin e gazetës, Bajram Kabashin, më shqetësuese është qasja e qeverisë ndaj tyre.

“Ne jemi ata që e kemi krijuar opinionin publik në një kohë kur ka qenë e vështirë ta shprehim opinionin. Shumë gazetarë të Rilindjes janë maltretuar e disa edhe janë vra. Është shqetësuese si i qaset kësaj shtrese intelektuale, Qeveria e Kosovës”.

Gazeta “Rilindja”, për herë të parë ka dalë më 12 shkurt 1945 në Prizren dhe është gazeta e parë në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi.

U shtyp në Shtypshkronjën Shtetërore në Prizren që nga numri 1 deri në 60-të.

Numri 61 i gazetës u kompletua dhe u shtyp në Prishtinë në Shtypshkronjën Krahinore të Frontit Popullor.

Në fillim ishte e përjavshme vetëm me katër faqe deri më 27 qershor 1948, kur edhe filloi të dale dy here në javë, të dielave dhe të enjteve.

Pastaj, nga nëntori i vitit 1958 nis të dalë si gazetë e përditshme në përjashtim të ditës së premte.

Ndërsa, që nga viti 1964 del çdo ditë standard në 20 faqe, ndërsa të shtunave dhe gjatë festave 24-32 faqe.

Me 5 shtator 1990, nga pushtetit serb u ndalua botimi i saj, e pas hyrjes së forcave të NATO-s, më 12 qershor 1999 ajo del përsëri, por këtë herë me faqe të shtuara dhe një pjesë e tyre me ngjyra.

Gazeta “Rilindja” ishte padyshim gazeta më e shitur në trojet shqiptare. Tirazhi maksimal ka arritur gjatë festave të Vitit të Ri, deri në 234.000 ekzemplarë.

Gazeta “Rilindja” ka pushuar së botuari që nga viti 2009.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore