Sport

PSG-ja vihet në lëvizje për zgjatjen e kontratës së kapitenit


Skuadra e PSG-së, pas transferimeve të bujshme në verën e kaluar, tashmë po kërkon të mbrojë yjet që ka pasur prej kohësh në skuadër.

Parizinët janë vënë në lëvizje për të rinovuar kontratën me kapitenin, Marquinhos-in. Braziliani ka kontratë në “Parc des Princes” deri në verën e 2024-ës.

Sipas “RMC Sports”, francezët kanë nisur kontaktet e para me agjentët e lojtarit 27-vjeçar. Qëllimi i PSG-së është ta mbajnë sa më gjatë në Paris qendërmbrojtësin.

Kohët e fundit është përfolur në media se ish-tekniku i PSG-së, Thomas Tuchel-i, po kërkon të bashkohet me Marquinhos-in tek Chelsea. Një gjë të tillë ka bërë edhe më herët me Thiago Silva-n.

Kapiteni ka që nga viti 2013 që është pjesë e PSG-së. Kohë kur u transferua për shifrën e 21 milionë eurove nga italianët e Roma-s.

Marquinhos-i numëron 340 paraqitje me fanellën e skuadrës franceze. Ai ka shënuar 34 gola dhe ka dhuruar nëntë asiste. Gjithashtu ka fituar 25 trofe në Francë: gjashtë tituj në Ligue 1, gjashtë Kupa, gjashtë Kupa Lige dhe shtatë Superkupa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore