Kosova

Pse vendosën serbët befasisht t’iu kthehen targave “RKS”


Foto nga Albanian Post

Pas një refuzimi kategorik për të zbatuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale në ato shtetërore, gjë për të cilën pati edhe përkeqësim të situatës në terren, serbët e Kosovës në ditët e fundit po krijojnë kolona të gjata para Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve për t’i ri-regjistruar makinat e tyre me targa që përmbajnë siglën e shtetit të Kosovës.

Që nga 1 nëntori deri më 7 nëntor, për një periudhë gjashtë ditore, 733 vetura me targa ilegale janë konvertuar në RKS, ndërsa ky numër vazhdon të rritet dita ditës.

Por, pse në këtë fazë, serbët vendosën t’i binden urdhrit të Qeverisë së Kosovës në çështjen e targave?

Bashkëbiseduesit e Albanian Post kanë mendime të ndryshme, disa nga ta vlerësojnë se serbët po e bëjnë këtë me zor, e disa me qejf.

Rritja e interesimit të serbëve për ri-regjistrimin e automjeteve të tyre, beson analisti nga Veriu i Kosovës, Branislav Krstiç, është pasojë e krijimit të një “shteti policor” nga ana e Qeverisë së Kosovës në Veri të vendit.

“Serbët nga Veriu prej vitesh janë viktima të vendimeve të njëanshme të Beogradit zyrtar dhe Prishtinës zyrtare. Fakt është se pronarët e automjeteve me targa KM nuk do të mund të kalojnë kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nga fillimi i vitit të ardhshëm. Qytetarët nga Veriu janë të detyruar të ndërmarrin një hap të tillë”, pohon Krstiç për Albanian Post.

Ndryshe nga Krstiç, Rada Trajkoviç, këshilltare politike e Ministrit për Komunitete dhe Kthim, beson se vendimi i serbëve për t’i konvertuar targat e tyre, sipas një vendimi të Qeverisë së Kosovës, simbolizon vendosmërinë e tyre për të qëndruar në Kosovë dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu.

“Kjo është shumë inkurajuese”, thotë ajo për AP.

Mos ndoshta Serbia dha “dritën e gjelbër” serbëve në këtë aspekt?

Sipas Krstiç “Jo”.

Meqë pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, Beogradi zyrtar duhet të sillet në mënyrë servile dhe konstruktive prandaj këto ditë nuk ka rekomandime as nga kryeqendra serbe e as nga Lista Serbe.

“Me rëndësi është edhe fakti që serbët nuk po përballen me kërcënime apo sulme ndaj automjeteve të tyre, zjarrvënie dhe presione të tjera. Qytetarët nga Veriu janë zgjuar dhe të vetëdijshëm se në fillim të vitit të ardhshëm Serbia do të duhet të sigurojë njohjen e shtetit të Kosovës, de facto, si dhe që nga viti i ardhshëm të kërkojnë drejtësi nga Zoti dhe se do të duhet të shkojnë në Prishtinë për të ushtruar të drejtat e tyre”, shton ai.

Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe Trajkoviç.

Branislav Krstiç dhe Rada Trajkoviç

“Nuk mendoj se tani po i ndërrojnë targat sepse kanë marrë ‘dritën e gjelbër” nga Beogradi. Krejt e kundërta, unë mendoj se njerëzit po e bëjnë me dëshirën e tyre dhe me iniciativën e tyre pasi janë lodhur duke u luajtur dhe abuzuar nga të dyja palët”.

Serbët e Kosovës, sipas Trajkoviç, po marrin në duart e tyre çështjet dhe të ardhmen e tyre.

“Si shtypja policore nga pala kosovare, ashtu edhe aktivitetet anti-institucionale të grupit të Radojiçiç-it i kanë zhgënjyer këta njerëz që tani e dinë se duhet të veprojnë dhe të flasin nëse duan të ardhme të sigurt dhe stabile për veten dhe fëmijët e tyre”.

Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës, nisi zbatimin e vendimit për largimin e targave ilegale në Veri të Kosovës.

Për ta kundërshtuar këtë vendim, serbët në Veri të Kosovës vendosën barrikada.

Ngërçi në terren u zgjidh në tryezën e bisedimeve në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në fund të qershorit 2022, Qeveria e Kosovës, mori vendim për ri-regjistrimin e të gjitha automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia me akronimet për qytetet e Kosovës, si KM, PR, GL e kështu me radhë.

Me këtë vendim po ashtu parashihej që për personat me letërnjoftime serbe të lëshohet dokumenti hyrës/dalës, që ishte edhe masë reciproke ndaj Serbisë.

Në prag të fillimit të zbatimit të këtyre vendimeve, më 31 korrik, serbët ngritën sërish barrikada, të cilat megjithatë u hoqën një ditë më vonë për shkak se Kosova pranoi ta shtyjë zbatimin e tyre për 30 ditë.

Më 23 nëntor 2022, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për targat që lëshohen nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë.

Sipas marrëveshjes, Serbia pranoi që të mos lëshonte më targa të reja dhe Kosova hoqi dorë nga ndëshkimet që parashihte plani për ri-regjistrimin e makinave.

Megjithatë, të dyja palët më vonë e interpretuan ndryshe këtë marrëveshje.

Më 6 dhjetor 2022, Qeveria e Serbisë miratoi një dekret në bazë të të cilit automjetet me targa “KM” lejohen të lëvizin pa etiketë regjistrimi, gjegjësisht atyre u duhet t’i tregojnë zyrtarëve vetëm një policë sigurimi dhe një certifikatë kontrolli teknik.

Prishtina zyrtare e interpretoi këtë hap të Beogradit si rinovim të regjistrimit me arsyetimin se bie ndesh me marrëveshjen e Brukselit. Prandaj, autoritetet e Kosovës ndaluan qarkullimin e makinave me targa “KM” në Veri që ishin regjistruar në sistemin serb pas arritjes së marrëveshjes për targat në nëntorin e vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore