Shqipëria

Pse sulmet kibernetike të Shqipërisë kanë rëndësi për SHBA-të?


Një zyrtare e lartë e Shtëpisë së Bardhë e sheh atribuimin e javës së kaluar të sulmeve kibernetike kundër qeverisë shqiptare në Iran “si një hap shumë të nevojshëm për të vendosur norma të diplomacisë kibernetike”.

Lajmi u bë i ditur nga website amerikan “Axios”, duke cituar intervistën me Anne Neuberger, zëvendës këshilltare e sigurisë kombëtare për kibernetikën dhe teknologjinë.

“Veprimet bëjnë që rregullat të qëndrojnë – kjo ka ndodhur në det, ajër dhe po ndodh në hapësirë”, tha Neuberger. “Ne duhet ta sjellim këtë qasje në hapësirën kibernetike”.

Neuberger shtoi se shumë nga normat ndërkombëtare kibernetike që Kombet e Bashkuara miratojnë bazohen në zakonet para-ekzistuese.

Sipas saj, është e rëndësishme që SHBA-të të demonstrojnë qartë se çfarë është dhe çfarë nuk është e përshtatshme në këto momente.

Atribuimi i një sulmi kibernetik është zakonisht mjet sulmi që vendet duhet të ndjekin masa më të ashpra diplomatike, duke përfshirë sanksionet ekonomike dhe tregtare.

Në fillim të kësaj jave, qeveria amerikane dhe kompania “Microsoft” ia atribuan një sërë sulmesh kibernetike shkatërruese kundër qeverisë shqiptare hakerëve të sponsorizuar nga shteti iranian.

Në mesin e korrikut, hakerët vodhën të dhëna nga serverët e qeverisë shqiptare dhe vendosën ransomware dhe malware kundër një numri agjencish dhe organizatash qeveritare, sipas Microsoft.

Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin të mërkurën, duke u bërë vendi i parë në histori që ndërpret marrëdhëniet diplomatike për shkak të një konflikti kibernetik.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë premtoi veprime të mëtejshme për të “bërë përgjegjës Iranin për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA-ve”.

Irani

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani hodhi poshtë “kategorikisht” më herët akuzat kundër Iranit në lidhje me sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.

“Ne hedhim poshtë kategorikisht akuzat në lidhje me një tjetër sulm kibernetik ndaj Shqipërisë dhe rezervojmë të drejtën për të ndjekur këto akuza”, theksoi zyrtari iranian.

Kanaani shtoi se Teherani zyrtar këshillon Tiranën që “të mos sakrifikojë interesat e popullit të saj për të mirën e amerikanëve”.

Sipas tij, akuza të tilla po drejtohen nga mijëra kilometra larg Tiranës.

Mbrëmjen e 10 shtatorit sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit janë gjendur nën një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik.

Kryeministri Rama, tha se nga të dhënat paraprake rezulton që sulmi të jetë kryer nga e njëjta dorë, pra Irani.

“Ekspertët tanë bashkë me ata të vendeve tona partnere kanë punuar intensivisht prej momentit të parë kur është detektuar sulmi, për të garantuar së pari pacenueshmërinë e të dhënave dhe më pas neutralizimin e këtij akti kriminal”.

Sistemi i menaxhuar i kontrollit të kufijve, TIMS, prej vitesh po përdoret në Shqipëri.

Ai bën të mundur që asnjë person me precedentë penal, apo i dënuar nga autoritete shqiptare dhe të huaja të depërtojë në Shqipëri dhe të dalë jashtë saj.

Kjo pasi të gjitha pasaportat përpunohen në këtë sistem që ka të integruar databazën për të gjithë shtetasit si dhe të gjitha informacionin e sistemit të Interpolit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore