Lajme

Pse s’u fillua hetim për rrjedhjen e dokumenteve nga Specialja?


Dy persona, dy ish-krerë lufte dhe dy ish-udhëheqës të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u dënuan nga Gjykata Speciale, meqë u shërbyen me dokumente që kishin rrjedhur në publik dhe ua ofruan ato gazetarëve.

Gucati e Haradinaj u dënuan, por Specialja asnjëherë s’filloi hetim për personelin brenda saj, që të kuptojë se si ndodhi që rrodhën dokumentet.

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në një intervistë ekskluzive për Albanian Post, ka thënë se nuk mund të flet në emër të Prokurorisë Speciale për këtë çështje.

“Për sa i përket sugjerimit tuaj se nuk është nisur asnjë hetim për çështjen se si ka rrjedhur informacioni, nuk mund të flas në emër të Prokurorit të Specializuar që është përgjegjës për hetimet, por besoj se ka thënë në të paktën dy raste publikisht se po e shqyrton këtë çështje”, thotë Trendafilova.

Gjyqtarja bën lojë fjalësh, duke shtuar se “Gucati dhe Haradinaj nuk u shpallën fajtorë për nxjerrjen e dokumenteve që i përkisnin Prokurorit të Specializuar. Por, trupi gjykues dënoi të akuzuarit për frikësim të dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Këto janë krime sipas Kodit Penal të Kosovës”.

Si përfundim, Trendafilova është shprehur e kënaqur me punën e gjykatës. Tha se “nga shtatori i 2020-ës e deri në mars të 2021-shit, tetë të akuzuarit u arrestuan dhe katër procedime janë nisur në DHSK-së”.

“E tëra kjo ndodhi gjatë pandemisë, me shumicën e stafit duke punuar nga distanca. Mbi 130 seanca, të transmetuara në shqip, serbisht dhe anglisht, janë mbajtur që nga ajo kohë, dhe gjykatësit e paneleve të procedurës paraprake, gjyqësore, të apeleve dhe gjykatës kushtetuese kanë dhënë 1 mijë e 200 vendime dhe urdhra”.

Lexojeni intervistën e plotë të Trëndafilovës dhënë ekskluzivisht për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore