Kosova

Pse gënjen kaq shpesh Besnik Bislimi?


Ilustrim: Besnik Bislimi

“Me një gënjeshtër njeriu asgjëson dinjitetin e tij”, thoshte dikur filozofi gjerman, Immanuel Kant.

Një parim të tillë s’e aplikon zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi.

Jo një herë, as dy, por tre e më shumë herë ka gënjyer brutalisht Bislimi vetëm gjatë kohës së shkurtër sa është në pozitën Nr.2 të Qeverisë së Kosovës.

Ju kujtohet marsi i vitit 2022 kur Besnik Bislimi takoi zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Borge.

Takimi në fjalë ishte në suazat e një takimi të rëndomtë në qendrën e KiE-së në Strasburg të Francës, deri kur u kuptua se Bislimi njëherit kryenegociatori i palës kosovare në dialog me Serbinë, kishte lëshuar një rrenë.

Bislimi kishte shkruar në rrjetin social se “gjatë qëndrimit në Strasburg, Berger mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikimin për pranim në Këshill të Evropës”.

Kështu do të mbetej sikur Berge të mos ri-shpërndante twitt-in e Bislimit, me një përshkrim mbi të.

“Fatkeqësisht ky nuk është përshkrim korrekt i asaj çfarë kam deklaruar në takim në lidhje me aplikimin e mundshëm për në Këshill të Evropës”, pati shkruar.

Përgënjeshtrimi i Berger u bë viral, jo vetëm për keqinformimin që kishte ndodhur, por edhe për faktin se nga kush vinte.

Bislimi –  pos shtetar është edhe profesor – kishte kërkuar falje, pas përgënjeshtrimit, duke u sqaruar se ka përdorur një term gabim.

“Kërkojë falje sinqerisht për përzgjedhjen e një termi jo adekuat për cicërimën time të fundit”, shkruante Bislimi po në Twitter, tash X.

“Në vend të ‘ai mirëpriti’ përshkrimi i saktë do të ishte ‘ne e informuam’”, kishte shkruar njeriu i dytë në Qeverinë e Kosovës.

Berge e kishte falënderuar menjëherë Bislimin “për këtë sqarim shumë të rëndësishëm”.

Përgënjeshtrimi i Bislimit nga Berge

Megjithatë ky nuk është rasti i vetëm kur Bislimi kishte gënjyer publikisht.

Ai në një intervistë të dhënë për mediumin opozitar serb, Danas, kishte thënë se Kosova në procesin e dialogut kishte hequr dorë nga kërkesa për njohjen formale të Serbisë duke e cilësuar një akt të tillë si “lëshim i madh nga ana e Kosovës”.

Intervista, përveç se ishte publikuar në mediumin në fjalë, ishte shpërndarë në gjuhën shqipe edhe në profilin zyrtar të Bislimit në Facebook.

Gjithçka ishte në rrjedhat e normales, deri në momentin kur Bislimi në një konferencë për media përgënjeshtroi vetën duke gënjyer publikisht për të dytën herë me radhë.

Bislimi tha se mediat, të cilat i cilësoi si të paguara nga Serbia, po i “shtrembërojnë deklaratat” e tij meqë në intervistë nuk është përdorur fjala “lëshim”, por “koncesion”.

“Fjala lëshim është nga mediat kosovare që kanë financim nga Serbia, ky është koncension që ka bërë Kosova ndaj Bashkimit Evropian, por jo Serbisë”, tha Bislimi.

Mediat nuk e kishin shpikur fjalën “lëshim”, por vetëm e kishin cituar deklaratën e Bislimit.

Megjithatë për Bislimin, një gjë e tillë ishte e pavërtetë.

E për të mbuluar gënjeshtrën e tij me një gënjeshtër tjetër, Bislimi, përdori të mirat e teknologjisë informative, duke u bërë viktimë e po të njëjtës.

Ai redaktoi fjalën nga “lëshim” në “koncesion”, pa qenë në dijeni se çdo ndryshim i bërë në histori të postimit të tij arkivohet.

Ndryshe nga situata me Bergen, Bislimi, kësaj radhe nuk kërko falje, përveç se akuzoi mediat për bashkëpunim me Serbinë.

 

Redaktimi i bërë nga Besnik Bislimi

Bislimit i doli gënjeshtra edhe në një rast tjetër.

Në mjegullën e madhe që e kishte përcjellur procesin dialogues në Bruksel deri te arritja e Marrëveshjes për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve Ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një gjë ishte bërë kristal e qartë.

“Në momentin që Qeveria e Kosovës e ndryshon qëndrimin për Asociacion [Zajednicë] dhe thotë që do të krijohet një Asociacion [Zajednicë], qoftë edhe me kompetenca jo-ekzekutive, atëherë unë nuk do të jem më në dialog”.

Kështu thoshte kryenegociatori Bislimi, një intervistë të dhënë për një media kosovare ku pati folur për planet e ekzekutivit rreth çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Si Albin Kurti ashtu edhe Glauk Konjufca, pranuan shumë herë se Asociacioni i Komunave është brenda planit evropian.

“Po, ka Asociacion [Zajednicë]”, kishte thënë Kurti shkurt në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, duke iu referuar nenit 10 të Marrëveshjes Bazë.

Se me Marrëveshjen Bazë e arritur në Bruksel dhe Aneksin në Ohër, Kosova kishte pranuar ta themelojë Asociacionin, sipas Marrëveshjes së vitit 2013 dhe në këmbim të marrë njohjen de facto nga Serbia, e kishte thënë edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës.

“Neni 7 i Marrëveshjes së Ohrit është – se dy pjesë janë këtu njohja de facto edhe qyky Asociacioni – me mujtë Kosova, kurgjo pa e ngarku Kosovën më shumë se që ka pranu Qeveria Thaçi 2013, kurgjo ma shumë për mos me dhanë për me arritë t’i me fitu njohjen de facto. Qekjo na është dukë neve deal (marrëveshje) e mirë”, tha Konjufca në një intervistë për Kallxo.com

Përkundër të gjitha pohimeve, Bislimi s’u tërhoq nga dialogu.

Ai madje në të shumtën e rasteve injorojë pyetjet e parashtruara nga deputetët opozitarë se kur do të tërhiqet nga dialogu meqë tashmë Kosova pranoi implementimin e Asociacionit me Marrëveshjen Bazë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore