Lajme

Pse është kaq i rëndë teksti i Politico-s për Albin Kurtin


Mediumi amerikan Politico ka shkruar një tekst të gjatë ku thuhet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shndërruar nga mik në armikun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Albin Kurti ka nervozuar dy anët e politikës në Amerikë”, thuhet në nëntitull të tekstit, duke theksuar se në SHBA Demokratët dhe Republikanët kanë çarje të madhe pothuajse në gjithçka dhe veç Kurti ka arritur t’i bëjë një zëri kur të flitet për qasjen e tij “kokëfortë dhe të pamatur”.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur të pamundurën në politikën amerikane: konsensus mes demokratëve e republikanëve”, thuhet në hyrje të tekstit.

“Fatkeqësisht për Kurtin (dhe vendin e tij) pika e pajtimit amerikan është se lideri i Kosovës është një kokëfortë dhe me raste politikan i pamatur, i cili ka penguar përpjekjen e përbashkët amerikano-evropiane për të arritur një zgjidhje afatgjate dhe paqësore mes Kosovës dhe Serbisë”.

Teksti negativ për Kurtin në Politico është tejet problematik jo vetëm për faktin se çfarë thuhet, por specifikisht për faktin se e thotë Politico.

Mediumi Politico është një nga mediumet më influencuese në mes politikanëve në Amerikë dhe Evropë.

Me formën e vetë të lajmeve, Politico kishte ndryshuar krejtësisht lojën në Uashingtonin zyrtar.

Në vitin 2007 Mike Allen i Politico-s erdhi me atë që quhej “Playbook”, një buletin ditor që u shkonte njerëzve herët në mëngjes në e-mail.

Në vitin 2016 “Playbook” i Politico-s lexohej nga mbi 100 mijë njerëz në Uashington – të gjithë “politikanë, guvernatorë, senatorë, gazetarë, lobistë…”.

Gazetarët thoshin se ata e caktojnë agjendën e tyre dhe tonin e lajmeve të ditës pothuajse krejtësisht nga ajo që fillimisht jepej në “Playbook”.

New York Times shkruante se “nëse informacioni është linja e gjakut në Uashington, Mike Allen me ‘Playbook’-un e tij është vena nëpër të cilën kalon ky gjak”.

Politico ishte shndërruar edhe në adresën e politikanëve të rëndësishëm, të cilët, me dijeninë se Politico lexohet nga të gjithë në Uashington, provonin të influenconin me informacione, me idenë e përfitimeve të mëvonshme.

“Bëjnë kështu sepse janë mbi 100 mijë insajderea e autsajdera, lobista e gazetarë, guvernatorë e senatorë, presidentë e presidentë në ardhje që e lexojnë çdo mëngjes të secilës ditë të javës për të qenë në dijeni, dhe në disa rate, për të parë se çfarë thuhet për ta. Nëse ndokush në Uashington të thotë se nuk është gjëja e parë që e bëjnë çdo mëngjes, dijeni që po gënjejnë”, shkruante New York Times.

“Edhe nëse nuk jeni një nga këta të varurit nga lajmet, vjen tek ju gjithashtu, sepse distilimi i lajmeve nga Allen i influencon edhe producentët e televizioneve”, shkruante NYT, meqë të gjithë shohin cilat lajme ka përfshirë dhe cilat jo Politico e më pas orientojnë strategjinë ditore mbështetur edhe në çfarë prezanton në mëngjes ky medium.

Jo veç në SHBA, njëjtë edhe edicioni i Politico-s në Evropë, është nga mediumet që lexohet më shumë se cilido tjetër brenda qarqeve në Brukselin politik, që nga lansimi i edicionit në Evropë, kur u bë partner me shtëpinë publikuese më të madhe evropiane, Axel Springer SE, kompani që ka në pronësi edhe media si Bild, Die Welt, Business Insider e të tjera.

Sipas një hulumtimi të fundit, Politico, versioni për Evropën, është një nga mediat që lexohet më së shumti nga “influencerët” e politikës në Bruksel.

Politico shpejt është futur në grupin e mediave me ndikim duke iu bashkuar The Financial Times, BBC dhe The Economist, duke pasur ndikim në vendimet e ditëpërditshme të teknokratëve të Bashkimit Evropian.

Prandaj, shkrimi i Politicos për Kurtin është shkrim që potencialisht do të lexohet nga elitat politike gjithandej botës.

Politico ka mbledhur në këtë shkrim të gjithë kritikat e zyrtarëve amerikanë për Kurtin. Duke filluar nga sekretari amerikan, Antony Blinken, ish i dërguari amerikan për Ballkanin, Richard Grenell e ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.

“Nëse dikush e njeh shkallën e influencës së keqe të Serbisë në rajonin e Ballkanit, atëherë ai njeri është Hill, por prapë, diplomati veteran nuk lë dyshime. Ai thotë se Beogradi nuk është për t’u fajësuar në eskalimin e fundit”, shkruan Politico, pos tjerash.

Në shkrimin e Politicos thuhet se “edhe BE-ja e ka humbur durimin me Kurtin”.

Në tekstin e këtij mediumi gjithashtu citohet se “serbët lokalë po thonë se qeveria qendrore ka bërë pak për të adresuar shqetësimet e tyre për integrim të tërësishëm në shoqërinë kosovare, veçanërisht kur vjen fjala te trajtimi i barabartë i gjuhës dhe kulturës së tyre”.

“Kemi pasur eksperienca të këqija me integrimin deri tani”, citon Politico Milica Andriç Rakiç, një menaxhere projektesh nga Iniciativa Sociale e Re, qytetare serbe nga Kosova, që thotë se organizata ku punon përbehet nga një grup kërkuesish të pavarur.

“Ne s’jemi në ekipin negociator të Serbisë dhe s’jemi as në ekipin negociator të Kosovës përkundër se për ne po flitet”, thotë Andriç Rakiç. “Komuniteti ndërkombëtar po provon ta ndërtojë një shtëpi nga tavani në themel, në vend se ta bëjë nga themeli në kulm”.

“Historia na thotë se ajo ka të drejtë”, thotë autori në tekstin e mediumit.

Ky nuk është teksti i vetëm në një media ndërkombëtare që përafërsisht prezanton pasqyrë të njëjtë – Kryeministrin e Kosovës që kritikohet nga perëndimi, serbë lokalë që ankohen dhe vetë Kurti që s’argumenton fuqishëm në pikëvështrimin e tij.

Një nga kritikat më të ashpra të Kurtit për qeveritë e kaluara sa ishte në opozitë, ndërtohej pikërisht për keqperzantimin e Kosovës nga liderët e atëhershëm.

Imazhi është shumë i rëndësishëm thoshte Kurti dhe bashkë me presidenten Vjosa Osmani, prezantonin para publikut vendas se si po e paraqesin Kosovën në mediat ndërkombëtare si një storie suksesi.

Storie për Kosovën në mediat ndërkombëtare vërtet ka pasur shumë kohëve të fundit, por “suksesi” s’është hasur kund në ato storie.

Kurti për FAZ: Nuk jam kokëfortë, jam parimor

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore