Lajme

PSD: Rritja e çmimeve të produkteve esenciale në Kosovë ndikon tek shtresa e cila ka pagë fikse


Ilustrim

Partia Social Demokrate, ka thënë se rritja e çmimeve të produkteve esenciale e cila ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve të naftës në Kosovë do të ndikojë tek të gjithë ata të cilët paguhen me paga fikse.

Sipas tyre rritja e çmimeve të produkteve si mielli, vaji sheqeri e zvogëlon fuqinë blerëse të parasë.

“Me 10 eurot e tua me një rritje prej 24 % të çmimit të produkteve ju do mund të blini sipas fuqisë së saj të mbetur sikur të kishit vetëm 7.60 Euro me çmimet aktuale apo për të blerë produktet e njëjta të cilat keni blerë me 10 Euro, ju duhet të i shpenzoni tash mbi 12.40 Euro”, shkruhet në reagimin e PSD-së në Facebook.

“Ky inflacion tek ne i prekë të gjithë mirëpo, i theksuar do të jetë tek shtresat të cilat kanë të ardhura të ulëta. Pensionistët nga e hyra e tyre prej 100 Euro do të goditen me ulje të fuqisë blerëse prej 24-40 Euro, pra fuqia blerëse e 100 Eurove të marra si pension do të mbetet sikur pensioni i tyre të ishte vetëm 60-76 Euro”.

PSD ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të punojë në këtë drejtim duke hequr taksat për produktet bazë siç janë mielli, qumështi, vaji, kripa, sheqeri.

“Qeveria e Kosovës do të duhej të punonte në dy drejtime. Njëri drejtim duhet të merret me gjendjen akute, tjetri me atë afatgjate. Rritja e prodhimtarisë vendore, përveç që është e pamjaftueshme, ajo don kohë dhe kërkon vizion”.

Sipas tyre Qeveria nuk guxon të jetë veç spektatore, por duhet të ndërhy në mënyrë urgjente.

“Intervenimet nga ministritë përkatëse dhe vendosja e alarmit nga Qeveria e Kosovës për ngritjen dramatike të çmimeve janë të vonuara. Frazat populliste për rritjen e pagës minimale, impaktin në rritje të standardit, siç duket do ta ketë të pavërejtshëm dhe pa efekt real në mirëqenie”, përfundon reagimi i tyre

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore