Zgjedhjet në Shqipëri

PS, ndryshime të mëdha në lista


Partia Socialiste ka shpallur zyrtarisht listat e 12 qarqeve të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Të konfirmuar si kandidatë janë vetëm 45 emra që kanë qenë në listat e vitit 2017. Ndërkaq, 30 nga deputetët që kishin mandate në vitin 2017, nuk janë më pjesë e listës së PS-së.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, bëri dje me dije për publikun 160 emrat që do të garojnë në gjithë Shqipërinë. Ndër ta, 115 janë emra të rinj. Disa prej tyre, të përfshirë në politikë më parë. Të tjerë, jo!

Kush largohet?

Janë plot 30 emra socialistë, të cilët nuk do të jenë pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit.

Largimet më të bujshme janë ato të Vasilika Hysit, Ditmir Bushatit dhe Eglantina Gjermenit. Hysi dhe Gjermeni deklaruan dorëheqjen nga politika. Për sa i përket Bushatit ndërkohë, ai ka pasur përplasje të shpeshta me kryetarin e PS-së, Edi Rama, gjatë dy viteve të fundit.

E fundit e raportuar, ajo e mbledhjes së kryesisë më 8 mars, pak orë përpara shpalljes së listave. Ky konflikt mund të ketë qenë përcaktuesi për mbetjen jashtë të Bushatit.

Një tjetër emër i kastës së vjetër të PS-së, që mbetet jashtë, është ai i Anastas Angjelit. Elona Gjebrea është gjithashtu jashtë listave zgjedhore.

Musa Ulqini, një ndër emrat më të vjetër në PS, nuk do të kandidojë në vitin 2021. Nuk është bërë me dije nëse ai e ka bërë vetë këtë zgjedhje apo nuk është futur në lista nga kryesia.

Pjerin Ndreu dhe Rakip Suli kanë marrë drejtimet e dy Bashkive, atë të Lezhës dhe Kamzës, duke lënë mënjanë pjesëmarrjen në zgjedhje.

Vilma Bello mbetet jashtë listës së Vlorës. Sadri Abazi nuk është përfshirë këtë vit. Një ndër emrat e larguar këto vite nga PS-ja, është ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Emrat e rinj

Në shtatë nga 12 qarqe, kokat e listave të PS-së do të jenë emra të rinj dhe të pasprovuar më parë në politikë.

Edona Bilali do të jetë kryesuesja e listës së Shkodrës për socialistët. Gerta Duraku do të drejtojë Kukësin. Lavdim Krrashi është i pari në Dibër, ndërsa në Berat do të kryesojë listën Hatixhe Konomi. Korça sheh të parën në listë Eni Zakën. Në Vlorë kryeson Pranvera Resulaj. Tirana ndërkaq është e ndarë në dy emra kryesues, atë të Luljeta Bozos dhe Najada Çomos.

Në garë për PS-në do të futen edhe persona të përfshirë më parë në politikë, por jo në zgjedhje. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, do të garojë në Tiranë. Zëvendësi i saj, Etien Xhafaj, gjithashtu.

Ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Toni Gogu, do të jetë pjesë e listës së kryeqytetit. Dy emra të tjerë të përfshirë janë ata të Plarent Ndrecës dhe Dallëndyshe Bicit.

Rikthimet dhe kasta e vjetër

Në PS do të ketë gjithashtu rikthime të bujshme. Më i rëndësishmi, ai i Nasip Naços në Berat. Robert Bitri garon në Fier duke braktisur LSI-në për PS-në. E njëjta gjë ndodh edhe me Lefter Kokën në Durrës.

Deputetë nga opozita parlamentare do të jenë gjithashtu pjesë e listës së socialistëve. Nimet Musai, Enver Roshi dhe Halit Valteri, pavarësisht se në poste jo të favorshme, do të garojnë në listën e PS-së. Përkatësisht, në Fier, Elbasan dhe Tiranë.

Emrat kryesorë të socialistëve janë vendosur në pozicione jo të favorshme qëllimisht sipas kryeministrit, pasi “drejtuesit e qarqeve duhet të jenë në fushëbetejë dhe jo të sodisin nga listat”.

Kështu, vetë Rama garon i teti në Durrës dhe Vlorë. Në Shkodër, Ilir Beqaj gjendet i katërti në listë. Berati sheh si emër të pestë Blendi Klosin, ndërsa Gramoz Ruçi do të renditet i dhjeti në Fier.

Në Elbasan, Taulant Balla do të gjendet i renditur i teti, ndërsa në Korçë, Niko Peleshi do të jetë i gjashti. Pandeli Majko renditet i 19-ti në Tiranë. Emra si Mimi Kodheli, Fatmir Xhafa apo Spartak Braho, renditen në Tiranë në vendet 21, 23 dhe 28.

Lista socialiste, më 25 prill, garon nën sloganin “Shqipëria e Ardhmja Jonë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore