Lajme

Protestuesit bllokojnë rrugën në Veri: Hidhen mjete piroteknike drejt gazetarëve (VIDEO)


Gazetarët duke raportuar nga Veriu i Kosovës

Përveç protestuesve e policisë që kanë pasur përplasje me mjete shpërthyese, të sulmuar kanë qenë edhe gazetarët pas incidenteve që ndodhën gjatë të mërkurës, kur policia ndërmori aksion për kontrabandim të mallrave në Veri të Kosovës.

Në videon e siguruar nga Albanian Post shihet një mjet i hedhur në drejtim të tyre dhe një shpërthim i fuqishëm.

Gazetarja e Albanian Post, Blerta Ahmeti nge vendi i ngjarjes ka treguar se grupi i gazetarëve dhe operatorëve janë sulmuar me mjete piroteknike.

Për këtë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duke shprehur “shqetësim për sigurinë e gazetarëve në terren”.

Gjithashtu, AGK ka thënë se sulme dhe presione ka pasur edhe ndaj “gazetarëve serbë të portalit lokal “Kossev”, nga protestuesit”.

Ky medium si pasojë e këtyre sulmeve ka tërhequr ekipet nga terreni.

“AGK-ja fton Policinë e Kosovës që të ofrojë siguri për gazetarët që të kryejnë punën e tyre në formë të papenguar”, thuhet në reagim.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK)

Aksioni Policor: gjashtë policë të lënduar në veri

Aksioni i policisë dhe i zyrtarëve doganorë në komunat me shumicë serbe ka hasur në rezistencë nga grupe kriminale serbe.

Aksioni i policisë në Veri të Kosovës kundër kontrabandës së mallrave ka lënë gjashtë policë të lënduar.

Siç merr vesh Albanian Post, mes policëve të lënduar është edhe komandanti i Njësisë Speciale, Besart Ahmeti.

Asnjë nga të lënduarit nuk është në rrezik për jetë.

“Ata po trajtohen në spitalin e Mitrovicës së Jugut, derisa pritet të nisen për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, ka thënë burimi për AP-në.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore