Lajme

Propozoi modelin e tij edhe në Kosovë, por çfarë kishte nënshkruar Abazoviç me Kishën Ortodokse Serbe?


“Për çështjen e Kishës bëjani si ne”.

Kështu tha të shtunën kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, duke folur për statusin e Kishës Ortodokse serbe në Kosovë, e cila është edhe pjesë e marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e dakorduar fillimisht në Bruksel dhe e përforcuar me aneksin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Merrni shembullin e Malit të Zi, si me një nënshkrim gjërat që nuk kanë mundur për 30 vjet të zgjidhen, zgjidhen me një nënshkrim”, shtoi Abazoviç, duke i ofruar veprimin e tij institucioneve të Kosovës në raport me Kishën Ortodokse serbe.

Por çfarë kishe nënshkruar Abazoviç me Kishën Ortodokse Serbe, dhe cilat ishin pasojat e atij nënshkrimi?

Me 3 gusht të vitit 2022, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç kishte konfirmuar në rrjetin social Telegram se është nënshkruar Marrëveshja Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Në vilën shtetërore malazeze “Gorica”, Abazoviç së bashku me patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periç, kishin vënë firmat e tyre mbi atë dokument.

Kryeministri i Mali të Zi, Dritan Abazoviq, dhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periq, në Podgoricë, më 3 gusht 2022.

Marrëveshja Themelore në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse serbe parashihej që të rregullonte marrëdhëniet ndërmjet Kishës Serbe dhe shtetit të Malit të Zi, por brenda saj parasheh një sërë detyrimesh të shtetit malazez ndaj kishës serbe.

Çka ka brenda marrëveshjes?

Me këtë marrëveshje, shteti malazez ka pranuar që ta njohë vazhdimësinë ligjore të kishës serbe që nga viti 1219, e kjo gjashtë shekuj më shumë se Kisha Ortodokse Serbe në Serbi.

Përveç kësaj, kjo marrëveshja i jep Kishës Ortodokse Serbe kompetenca ligjore publike, por edhe hap mundësinë e futjes së arsimit fetar në shkolla.

Marrëveshja përcakton që Kisha Serbe nuk ka nevojë të marrë leje nga qeveria malazeze për të lëvizur objekte të trashëgimisë kulturore të cilat janë të regjistruara nën pronësinë e saj.

Po ashtu, institucionet shtetërore malazeze, në bazë të marrëveshjes nuk mund të ndërmarrin masa sigurie në ndërtesat e kishave pa miratimin paraprak të autoriteteve kompetente të kishës, kurse shteti malazez mori përsipër të regjistrojë pronat e paluajtshme të paregjistruara në pronësi të dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

Cilat ishin reagimet ndaj marrëveshjes?

Të njëjtën ditë që Abazoviç e nënshkroi marrëveshjen, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), që deri tani ishte nën udhëheqjen e Milo Gjukanoviç-it, kishte njoftuar se do të ndërmarrë nismën për mosbesimin ndaj Qeverisë së Dritan Abazoviç-it, qeveri kjo që ishte krijuar me votat e DPS-së.

Mbështetja i vinte vetëm nga partitë pro-ruse e pro serbe në Mal të Zi të cilat insistonin në nënshkrimin e saj.

Kundër Abazoviç-it për këtë marrëveshje kishin dalë edhe nga Bashkimi Evropian.

Ndërsa kjo marrëveshje Dritan Abazoviç-it i kishte kushtuar me mocion mosbesimi, ku edhe ishte shkarkuar nga pozita e kryeministrit të Malit të Zi.

Një model i njëjtë për Kosovën?

Në pikën shtatë të marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë thuhet se: “Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

Ndryshe, Kisha Ortodokse Serbe për gjatë gjithë historisë ka qenë shtyse e politikave ekspansioniste serbe.

Ajo ka shërbyer për t’i glorifikuar krimet dhe masakrat që Serbia i ka bërë mbi popujt e tjerë në Ballkan, në mënyrë që të i shtynin përpara idetë e tyre fashiste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore