Shqipëria

Propaganda, ‘sulmi’ i ri i Iranit në Shqipëri


Prej javësh tashmë, Shqipëria kaloi një sulm kibernetik masiv, pas të cilit, sipas të gjithë deklaratave nga kreu i Qeverisë, Edi Rama, fshihet një shtet.

Mirëpo, pavarësisht se ka dyshime mbi dy të tillë, ende nuk është hedhur qartësisht dritë sa i përket çështjes dhe një akuzë konkrete kundrejt sulmit, nuk është hedhur publikisht.

Vetë ekspertët e NATO-s kanë qenë pjesë e mbrojtjes së të dhënave nga sulmi kibernetik, i cili mbylli për disa ditë faqet qeveritare dhe i la ato jashtë linje.

Që prej disa ditësh përpara sulmit, por edhe në vijim, dyshime të theksuara kanë rënë mbi Iranin, si shteti autor i këtij sulmi masiv kibernetik.

Përgjegjësi direkte nga Teherani nuk është marrë në rrugë formale apo mediatike. Megjithatë, një sërë ngjarjesh, që prej arrestimit të disa ish-anëtarëve të grupit muxhahedin njohur si MEK në Shqipëri e deri tek email-e e mesazhe të shumta drejtuar redaksive mediale apo qytetarëve të thjeshtë, të çojnë drejt hamendësimit se në këtë skenar, Irani është i përfshirë.

Sipas dosjes hetimore që Albanian Post pati siguruar mbi arrestimin e ish-anëtarëve të MEK-ut në Manëz, ata kishin planifikuar kryerjen e disa atentateve.

Po ashtu, një seri mesazhesh në profile personale të gazetarëve të Albanian Post apo në postën e tyre elektronike mbërritën.

Nën emra të prezantuar si gazetarë (por pa dhënë asnjë provë se janë të tillë dhe pa gjetur asnjë të dhënë në rrjet mbi figurën e personave të pretenduar), disa persona kanë kërkuar pranë redaksisë të dhëna mbi MEK-un dhe anëtarët e saj në Manëz.

Paralajmërime për sulme me dronë apo raketa erdhën po ashtu nga Irani karshi Shqipërisë, duke pretenduar se do të godisnin kampin e Manzës.

Megjithatë, gjithçka deri tani ka mbetur në aspektin e pretendimeve.

Mirëpo, një formë e re e “sulmit” iranian ka mbërritur, duke përdorur këtu propagandën mbi grupin muxhahedin MEK e-Khalq dhe duke shpërndarë dokumentacione dhe artikuj ku shkruhet mbi këtë grup.

Ndër këto dokumenta, përmendet edhe një raport i vjetër i inteligjencës amerikane, CIA, kohë në të cilën MEK-u përmendej si një grup Islamik-Marksist, i cili ka kryer veprime terroriste.

Madje, në këtë raport shkruhet edhe se anëtarë të MEK-ut kanë marrë pjesë në vrasjen e disa këshilltarëve amerikanë në Iran.

Mirëpo, qasja amerikane prej asaj kohe mbi grupimin, ka ndryshuar radikalisht.

Një dokument tjetër i dërguar, është ai i një artikulli të publikuar nga e përditshmja prestigjioze amerikane “The New York Times”, e cila u ka kushtuar një shkrim të posaçëm rebelëve iranianë.

Prej këtij artikulli, dërguesit kanë shkëputur një fragment, ku përshkruhet se si anëtarët e MEK-ut e kanë të ndaluar të shprehin ose ndërmarrin raporte romantike apo seksuale, të kontaktojnë familjet apo se si detyroheshin t’i jepnin llogari udhëheqësve të tyre për çdo dëshirë seksuale apo tradhtie që mund t’i shkonte në mendje.

Dërguesit e këtij email-i, qarkullojnë nën firmën e fondacionit “Terror Spring” (shqipëruar Tranvera e Terrorit).

Në faqen online të këtij grupimi, vihen re artikuj të shumtë mbi MEK-un, përfshi historik apo takimet që zhvillohen në Manëz çdo vit, ku pjesë bëhen edhe politikanë amerikanë të profilit të lartë.

Këto të fundit, janë pjesë e politikave që MEK-u ndjek për të fituar mbështetje.

Madje, ky fondacion i pretenduar, ka të publikuara edhe lajme për Shqipërinë, përfshi sulmin e fundit kibernetik.

Kjo është një metodë e përdorur gjerësisht nga spiunazhi iranian për të përhapur propagandën e Teheranit dhe për të marrë informata mbi disidentët e këtij vendi, të cilët janë të vendosur në Shqipëri.

Për më tepër, antiterrori shqiptar, ka kryer arrestimin e dy personave të dyshuar si pjesë e spiunazhit iranian, të cilët ishin të pajisur me identitet fals gjerman dhe po kërkonin hyrjen në territorin shqiptar.

Kështu, dyshimet se Irani është shteti i fshehur pas sulmit kibernetik në Shqipëri, rriten edhe më shumë.

Mirëpo, më shqetësues, është fakti se po kërkohet çdo mënyrë për të ndikuar mbi opinionin publik në Shqipëri rreth çështjes së MEK-ut dhe për të luhatur mbështetjen ndaj pozitës amerikane në këtë spektër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore